Gjilani ndodhet në një situatë alarmi emergjent. Gjilani po përjeton momentet më të rënda në historinë e tij në mungesë të ujit të pijshëm, burimit kryesor të çdo familje gjilanase. Pavarësisht alarmit të kuq, qeverisja komunale gjen kohë me u marrë me punë dytësore dhe të parëndësishme, duke e anashkaluar problemin jetik të qytetit të Gjilanit.
Në Gjilan duhet të ndodhë një zgjim i civilizuar dhe i argumentuar për ta bindur Lutfi Hazirin dhe kompaninë “Hidromorava” se eksperimentet për mungesën e ujit kanë marrë fund.
Të shkruash për mungesën e ujit në këtë shekull dhe në këtë kohë të modernizuar e digjitalizuar, vërtet është qesharake. Por tanimë Gjilani po e përjeton këtë situatë, më të rëndën që nga paslufta. Familje të shumta detyrohen ta presin pikën e ujit për të kryer punët e shtëpisë, ndërsa krekosja e pushtetit komunal vazhdon ta bëjë edhe më nervoz qytetarin gjilanas.
Jam shumë i sigurt se “Task Forca” që ishte caktuar me shumë bujë, tashmë ka vdekur sepse asnjë punë nuk e ka kryer. Luta duke u marrë 98% me problemet e LDK-së dhe të koalicionit, Gjilanin po e sheh dhe po e përjeton si qytet të huajin, ndryshe nuk mundem me arsyetua. Luta preokupimin kryesor e ka terminin për të dalë në TV nacionale dhe pjesëmarrja e tij për kolorit në takimet LDK-LVV.
Ndërkohë reagimet e qytetarëve janë të rënda dhe të shumta. Ata, pa fajin e tyre kërkojnë zgjidhje për ujin. ”Duam ujë, ujë, ujë”, janë mijëra komente që mund t`i hasësh nëpër rrjetet sociale.
E keqja edhe më e madhe është se përpjekjet për ta nisur ndonjë projekt madhor, siç është ndërtimi i ndonjë pende, janë larg asaj që mund të pres qyteti i Gjilanit. Në një debat të mbajtur pak ditë më parë, drejtuesit e kompanisë “Hidromorava” thanë se ata nuk kanë fuqi as financiare, e as teknike apo profesionale për të vazhduar tutje.
Pra, Gjilani ka mungesë të ekspertëve ose të paktën kështu u la përshtypja. Gjilani urgjentisht duhet të krijojë një ekip të njerëzve profesionistë, të të gjitha lëmenjve, për ta bërë një studim të fizibilitetit dhe për të parë gjetjet e burimeve nëntokësore. Ky ekip duhet të punojë natë e ditë, kurse Lutfi Haziri dhe bashkëpunëtorët e tij nuk duhet të pushojnë për asnjë minutë, derisa të bëhet një zgjidhje fatlume.
Paramendojeni, qytetari gjilanas ka telashe për mungesë të ujit në pikë të dimrit, llogariteni po të jetë koha e verës. Pa ujë s`ka jetë, pa ujë gjithçka shkon ters e me nervozizëm.
Familjet gjilanase nuk e meritojnë këtë terror dhe këtë eksperiment psikologjik. E kuptoj edhe faktin se problemi i zgjidhjes së ujit të pijshëm mund të jetë i kushtueshëm, mund të ketë kosto. Por askush nuk e ndalon Komunën e Gjilanit që të bëjë projekte e studime fizibiliteti. As këto nuk i kemi të gatshme, edhe po të dojë Banka Botërore të investojë apo ndihmojë Gjilanin. Ne nuk jemi gati.
Llogariteni aksionin e fundit të qeverisjes komunale, “Gala Mbrëmja” për ta ndihmuar Shqipërinë. Fund e krye qesharak dhe e bërë vetëm për marketing politik.
Gjilani dhe qytetarët e tij duhet të zgjohen dhe ta kuptojnë se çështja e ujit është edhe problem i tyre, dhe jo vetëm i institucioneve. Gjilani me një aksion një mujor, i cili do të ishte transparent dhe përmes llogarive bankare të dedikuara enkas për këtë çështje mund ta financojë vetë koston e çfarëdo projekti, duke përfshirë këtu edhe ndërtimin e ndonjë Pende, në Llapushnik apo gjetiu.
Personalisht nuk e kam problem mungesën e ujit, por në kontakte të shumta me qytetar shoh një nervozizëm të jashtëzakonshëm tek publiku. Ata duan ujë, asgjë më shumë, ata duan jetë të dinjitetshme, asgjë më shumë, ata duan të ndihen të lumtur në familjet e tyre, asgjë më shumë. Për ujin, për vetën, për ty, zgjohu Gjilan. Ditët dhe muajit në vijim pres kthesa radikale dhe ndryshim drastik të veprimit qytetar.