Për vetëvrasjet dhe raportimin rreth tyre

Prishtinë | 29 Nën 2023 | 21:51 | Nga Safet Zejnullahu

(A mund t’i ndalim krejtësisht – për një kohë – raportimet për vetëvrasjet?)

Rastet e vetëvrasjeve janë të vetmet raste kur duhet të “luteni” që lajmi juaj të lexohet sa më pak.

Janë i vetmi rast që, pavarësisht të dhënave që keni, nuk duhet të raportoni me senzacionalizëm, me ngut, me zjarrmi.

Ndaj:

  • Raportojeni një rast vetëvrasjeje në një vend sa më pak të dukshëm në median tuaj.
  • Mjaftohuni vetëm me inicialet e fatkeqes/it.
  • Mos ia publikoni fotografinë.
  • Mos thoni se “vetëvrasjet janë kthyer në epidemi”.
  • Mos saktësoni se “disa nga vetëvrasjet e fundit kanë ndodhur në këtë mënyrë (duke saktësuar veprimin)”.
  • Përkujtoni se të gjitha sëmundjet kanë ilaç dhe nuk janë zgjidhje veprimet kundër jetës së njeriut.
  • Shpjegoni që nuk ka problem që nuk zgjidhet – gjithnjë është më mirë të kërkohet ndihmë nga miqtë e institucionet.
  • Publikoni emrat, emailat dhe numrat e telefonave të klinikave e institucioneve përkatëse që janë ndihmë e këshilla për njerëzit në vështirësi.
  • Krahas çdo lajmi të rëndë nga kronika e zezë, publikoni këshilla nga profesionistët.
  • MOS THEKSONI KURRË MOTIVIN E NJË VETËVRASJEJE! Do të bëheni bashkëfajtor për vetëvrasjen e radhës.

Përfundimisht, si profesionist, mbështes mendimin se mediat serioze dhe më të lexuara/shikuara do të duhej që, për një periudhë të caktuar kohore
– të MOS i publikojnë fare rastet e vetëvrasjeve!

Mund të duket hap i skajshëm, por shembujt nga literatura, si ai i Vjenës, na tregojnë se, me veprimet tona, mund të shpëtojmë jetë. Mision më të rëndësishëm në jetë nuk ka!

Shënim: “Në mes të viteve 1984 dhe 1987, gazetarët e Vjenës kanë mbuluar rastet e vdekjeve të individëve që u kanë dalë trenave përpara, nëpër metro të ndryshme. Raportimet ishin masovike dhe dramatike. Në vitin 1987, u organizua një fushatë ku u jepej vërejtje gazetarëve që raportimet e tyre potencialisht mund të kenë efekte negative dhe u propozua për forma alternative të raportimit. Në gjashtëmujorin e parë, pas kësaj fushate, vetëvrasjet në metro ranë për tetë për qind. Numri i përgjithshëm i vetëvrasjeve në Vjenë zbriti gjithashtu”.

(Autori është profesor në UBT, në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit – Ky është një shembull nga libri i tij “Shkathtësitë e shkrimit” ku është trajtuar gjerësisht raportimi profesional i medias nga lajmet e kronikës së zezë, me theks të veçantë rastet e vetëvrasjeve)

Të ngjashme