Punën më të mirë që do të mund ta bënte klasa aktuale politike është të pajtohej për zgjedhje të Presidentit të Kosovës me votë popullore. Kjo kërkon ndryshimin e Kushtetutës. Natyrisht, edhe pajtimin e komuniteteve për këto ndryshime, të cilat, esencialisht, nuk prekin interesat e tyre.
Nuk është punë e lehtë, por është punë që bëhet po të ketë vullnet për ta hequr zgjedhjen e Presidentit nga kalkulimet partiake që, në situatën aktuale, janë të paevitueshme. Dhe kanë degraduar keq, jo vetëm kësaj radhe.
Në këto tridhjetë vjet Kosova ka zgjedhur Presidentin dy herë me votë popullore. Para lufte, më 1992 dhe 1998, me votë gati plebishitare Kryetar i Kosovës është zgjedhur Ibrahim Rugova. Rugova është zgjedhur dy herë President i Kosovës me vota në Kuvend (më 2002 dhe me 2004). Në Kuvend janë zgjedhur edhe Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi, pa harruar zgjedhjen e paligjshme të Behgjet Pacollit për president të vendit.
Në vitin 2001 UNMIKU, që administronte Kosovën, në konsultim me partitë kryesore politike shqiptare dhe pakicat, ka pasë krijuar Kornizën Kushtetuese simbas të cilës do të zgjedhej Kuvend prej 120 deputetësh, ndërsa Presidenti i Kosovës nga Kuvendi.
Me përjashtim të LDK-së dhe të udhëheqësit të saj, Ibrahim Rugovës, të gjithë ishin kundër zgjedhjes së Presidentit me votë popullore atëherë.
Në vija të përgjithshme, zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës simbas Kushtetutës ndjek logjikën e Kornizës së atëhershme; natyrisht mandati tash është 5-vjeçar (atëherë 3-vjeçar), ndërsa kompetencat tani të shtuara sepse Kosova është shpallur shtet i pavarur e sovran.
Në kohën kur zgjedhja e Presidentit të Kosovës është imperative, klasa politike shqiptare, protagonistë të së cilës si në kor shprehen me fjalë kundër pazareve politike, teksa bëjnë pazare për hesap të vetin, do t’i bënin shërbim vendit po të angazhoheshin njëmend për ndryshime kushtetuese që lejojnë zgjedhjen e Presidentit me votë popullore. Kompetencat e Presidentit mund të mbesin këto që janë, për të ruajtur një sistem parlamentar. Thjesht do të mund të bëheshin ndryshime të vogla, për saktësime eventuale të ndarjes së pushtetit ekzekutiv ndërmjet Presidentit dhe Kryeministrit; ky i fundi, natyrisht, do të ruante pushtetin kryesor. Ndoshta edhe me rritje të moshës minimale, nga 35 në 40 vjet, për kandidatët e kualifikuar për President.
Zgjedhja e Presidentit të Kosovës me votë popullore do ta bënte pushtetin demokratik në Kosovë më të balancuar, më përfaqësues, dhe do të evitonte rrezikun që për shkaqe mospajtimesh të mëdha ndërmjet partish, apo, siç e kemi situatën tani – të çorodisë së plotë të skenës politike në vend – të krijohen trauma të panevojshme popullore. Aktualisht kemi traumë politike, por edhe tallje me idenë e kreut të shtetit.