Prokuroria e Përgjithshme e Zvicrës ka ngritur akuza kundër një mbështetësi të dyshuar të organizatave terroriste IS dhe Al-Kaeda. 25-vjeçari me shtetësi zvicerane (me rrënjë shqiptare, nga Kosova) akuzohet se ka rekrutuar disa persona për ISIS-in dhe Al-Kaedën.
Ai gjithashtu thuhet se ka përhapur përshkrime të dhunës dhe propagandës për të dy organizatat përmes mediave sociale, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Zvicrës.
Sipas prokurorisë federale, thuhet se ai ka organizuar edhe mbledhje fondesh. Në informacion më tutje thuhet se i akuzuari ishte në një zonë në Siri të pushtuar nga IS deri në vitin 2019.
Ai qe arrestuar në fund të tetorit 2019 dhe ishte mbajtur në paraburgim deri në korrik të vitit 2020. Tani, i riu akuzohet për shkelje të shumta të ligjit për ndalimin e IS dhe Al-Kaedës në Zvicër.
Sipas aktakuzës, i akuzuari ka përfituar nga reputacioni i tij si i kthyer në Zvicër nga territori i IS në Siri, trasnmeton albinfo.ch. Bazuar në njohuritë e tij të gjera për IS dhe rrjetin e tij të mirë brenda dhe jashtë vendit, ai u ka propozuar idetë e ISIS-it njerëzve në Zvicër dhe ka tubuar bashkëmendimtarët.
Një akuzë tjetër që e ngarkon atë është shfrytëzimi pa të drejtë i përfitimit nga aksidentit, në ngarkesë të sigurimit.
I akuzuari, në vitin 2014 si i mitur, së bashku me motrën e tij, po ashtu të mitur, kishin shkuar në Siri për tiu bashkuar ISIS-t. Rasti i tyre pati bërë bujë të madhe në mediat zvicerane, shrkuan albinfo.ch. Kishte raportime rreth përpjekjeve që babai i tyre, shqiptar nga Winterthur-i i Cyrihut, kishte bërë për ti kthyer në Zvicër.
Vëlla dhe motër me prejardhje nga rrethina e Pejës kanë qenë ndër të parët vullnetarë nga Zvicra që kishin shkruar në zonat e luftës në Siri, në shërbim të ISIS-it.
Prokuroria në komunikimin e saj nuk ka komentuar rreth lartësisë së dënimit që kërkon për personin. Si zakonisht në raste të tilla, këto do të shpallen në seancën kryesore para Gjykatës Federale Penale në Bellinzona. Për të akuzuarin vlen prezumimi i pafajësisë.