Në Bruksel përfunduan bisedimet dy ditëshe, në të cilat u përcaktuan obligmet finale të palëve për zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherit kryenegociatore në dialogun e Brukselit së bashku me delegacionin e ekspertëve të ARKEP-it dhe Telekomit të Kosovës, me sukses mbrojtën qëndrimin që obligimet e palëve të jenë në pajtim me marrëveshjen e vitit 2013 për kodin telefonik, planin aksional dhe konkluzionet e dakorduara më 13 shtator 2016, të zbatohen në mënyrë të përpikët dhe në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës, ashtu siç parashihet në këto marrëveshje.
Ministrja Edita Tahiri, pas përfundimit të bisedimeve deklaroi se tashmë çdo gjë është përcaktuar në detaje për sa i takon obligimeve zbatuese të palëve dhe se Kosova do të bëhet me kod telefonik shtetëror më 15 dhjetor 2016, të cilin do t’ia jep ITU-ja.
Ajo shtoi se me këtë marrëveshje Kosova fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit, sepse kodi telefonik e përcakton sovranitetin e saj ndërkombëtar dhe njohjen në botë përmes kodit të saj telefonik.
Po ashtu, kjo Marrëveshje hap rrugën e anëtarësimit të Kosovës në ITU dhe më këtë marrëveshje po bëhët njohja ndërkombëtare e Kosovës në fushën e telekomunikacionit.
Ajo poashtu tha se sipas marrëveshjes së Brukselit, Serbia obligohet t’i dërgoj një letër ITU-së më 3 dhjetor 2016 me të cilën shpreh zotimin se nuk do të pengojë në asnjë mënyrë që ITU t`ia ndajë kodin telefonik shtetëror Kosovës.
Ministrja Tahiri, poashtu shtoi se Kosova do të ketë të gjitha të drejtat shtetërore që të administroj me kodin e vet telefonik sikur gjithë shtetet tjera dhe se në Kosovë do të ketë vetëm një kod 383 dhe të gjitha kodet e huaja që janë përdorur 381, 377, 386 do të kalojnë në kodin e shtetit të Kosovës.
Do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999. Thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.
Poashtu Kosova, sipas marrëveshjes, obligohet që t’i jap një licencë të përkohshme dhe të kufizuar një kompanie të re të regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, fushë-veprimtaria e së cilës do të jetë e kufizuar në disa zona të caktuara në Kosovë dhe me nivel të frekuencave që përcaktohet me ligjet e Kosovës.
Funksionimi i kësaj kompanie është i kufizuar edhe në aspektin kohorë, veprimtaria e saj do të përfundojë në momentin që në Kosovë do të vie operatori i tretë i telefonisë mobile përmes një tenderi ndërkombtarë.
Në marrëveshje u përcaktua se Telekomi i Kosovës mund t’i jap me qira disa asete të telefonisë fikse për përdorim nga kompania e re, dhe për këtë çështje vendosë Telekomi i Kosovës sepse këto prona janë të saj.
Pas dakordimit të konkluzioneve të këtij takimi, tashmë Kosova po ecë sigurtë drejtë marrjes së kodit shtetëror nga ana e ITU-së. Takimi i radhës së ekspertëve të të dyja shteteve do të mbahet në Bruksel para datës 3 dhjetor 2016 ku do të bisedohet për të përcaktuar kufirin frekuencorë.