Pak muaj para se të organizoheshin zgjedhjet brendapartiake lëvizja “Vetëvendosje” po ballafaqohet me çarjen e parë serioze që nga themelimi i saj. Planifikohet që në fund të muajit shkurt apo në fillim të marsit 2018 lëvizja “Vetëvendosje” t’i zgjedhë strukturat e reja në hierarkinë partiake, përderisa pak ditë më parë në medie është publikuar një komunikim në aplikacionin “Viber”, ku deputetja Aida Dërguti e ofendon rëndë ish-liderin e LVV-së Albin Kurtin dhe për këtë shkak të hënën që lamë pas ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtares së Kryesisë, si dhe nga funksioni i kryetares së Degës në Vushtrri.
Në lëvizjen “Vetëvendosje” tashmë janë krijuar dy grupe, ai që e mbështet Kurtin, si dhe grupi i ish-sekretarit të LVV-së Dardan Molliqajt, pjesë e të cilit është edhe deputetja Dërguti.
Ismail Kurteshi, sekretar i përgjithshëm dhe deputet i lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë dje për “Zërin” se zgjedhjet e brendshme të kësaj partie do të mbahen në fillim të vitit tjetër, por pa e precizuar kohën e saktë. “Natyrisht që zgjedhjet do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, por datën nuk e kemi caktuar.
Një vendim të tillë e merr Këshilli i Përgjithshëm”, ka thënë Kurteshi. Kurteshi nuk ka pranuar të flasë se kush do të jenë kandidatët për kryetarë të partisë, ndonëse jozyrtarisht lakohen emrat e Kurtit, Molliqajt dhe Shpend Ahmetit. “Nuk e di kush do të kandidohet. Ka me qenë koha në dispozicion për t’i paraqitur kandidaturat. Kujt ia merr menja le të kandidojë. Ndërsa unë për vete e di që nuk do të kandidohem, por të tjerët të gjithë e kanë këtë mundësi. Në vetëm atë kohë po e presim, kur të vijë koha për kandidatura të shohim, çfarëdo që them tash mundem të mos ia qëlloj”, tha ai.
Kurteshi ka komentuar edhe dorëheqjen e Aida Dërgutit. “Mendoj që është vendim i saj personal, të cilin duhet ta përshëndes”, ka thënë ai.