Komunitetet shqiptare, boshnjake e kroate u mblodhën në Manhattan, për të demonstruar përballë Konsullatës së Serbisë, për të kërkuar drejtësi për fushatën e përdhunimeve të organizuar nga Beogradi gjatë viteve 1990-1999.
Manifestimi i drejtuar nga anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj, kishte ballë tij, gratë nga Kosova, që iu mbijetuan përdhunimeve e janë ngritur sot për të kërkuar drejtësi: Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyrete Tahiri-Sylejmani.
Thirrjet e fuqishme: ”Duam drejtësi, tani!”, ”Turp për Serbinë”, etj, oshëtinin nga zërat e manifestuesve, që valëvitën flamuj të Shqipërisë, SHBA-së, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë.
Siç shkruan IllyriaPress, pranë trotuarit përballë, mbi një kamion të vogël projektoheshin imazhe me mesazhe nga manifestimi.
”Disa mund të mendojnë se luftrat në Ballkan kanë mbaruar”, është shprehur, Këshilltari Bashkiak, Gjonaj.
”Por për gati 70,000 të mbijetuarat e dhunës seksuale në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, lufta nuk mbaron kurrë. Për ato ajo vazhdon edhe sot e kësaj dite”, ka shtuar ai.
”Ato quhen të mbijetuara se refuzojnë të heqin dorë nga lufta për drejtësi”, tha Mark Gjonaj, duke i ftuar pjesëmarrësit e kësaj ngjarje që t’i bashkohen kësaj kauze për ta detyruar Serbinë që të përndjekë ata që kryen këto përdhunime.
Nëse Serbia nuk dëgjon atëherë të ndërhyjë komuniteti ndërkombëtar për ta ndëshkuar, ka thënë ai.