Tentimi i prokurorisë në Gjykatën Speciale që librat e botuar, me autorë konkretë (pra që nuk janë dokumente) të përdoren si prova kundër krerëve të shtetit të Kosovës është veprim jashtë logjikës dhe jashtë standardeve.
Përdorimi i librave për të dënuar njerëz ka qenë praktikë në Mesjetë dhe në periudhën e nazizmit e të komunizmit.
Ky tentim i Prokurorisë speciale zbulon disa gjëra:
1. se prokuroria nuk ka fakte materiale, prandaj po mundohet t’i zëvendësojë me tekste publicistike.
2. Po sugjerohet se duhet të ndryshohet narrativa për luftën çlirimtare dhe
3. Po shfrytëzohet një dobësi e nivelit të ulët të botimeve në Kosovë, ku recensentët përsërisin fjalë për fjalë naivitetet e autorit, që “ka zmadhuar e zbukuruar gjërat”, në vend se t’i ndihmonin që të evitonte pasaktësitë.
Pse heshtin Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, Departamenti i Historisë, Shoqata e Historianëve?
Pse nuk i kanë shoqëruar gjithë ato botime që janë bërë pa kritere, me kritika kompetente, që do të elimininonin zmadhimet e zbukurimet?
Në këto pyetje unë nuk gjej përgjigje. E di që dukem naiv për vetë faktin që bëj këso pyetjesh.
Ndërsa e di që shumë nga ata akademikë e studiues që janë rehatuar në ato insitucione, janë atje falë ndihmës nga ata që po gjykohen në Hagë.