Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Shenjtores Nëna Terezë, bëhet shugurimi i Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Këtë ceremoni do ta prijë i dërguari i posaçëm i Papa Françeskut, kardinali shqiptar Ernest Simoni.
Në ceremoni kanë arritur mysafirët dhe gjithçka tashmë është gati.
Drejtuesit e institucioneve, liderë politikë, kryetarë komunash e përfaqësues partish janë të pranishëm në këtë ceremoni.
Gjithashtu të pranishëm janë edhe përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe komuniteti bektashi, raporton EO.
Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, po ashtu do të jetë pjesë e ceremonisë bashkë me ministra nga kabineti i tij. Komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, ka zënë vend në rreshtin e parë të të pranishmëve.
I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Hardinaj me bashkëpartiakë do të marrë pjesë ne shugurim.
Edhe familja e ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova do të jetë pjesë e ceremonisë. Pranë familjes Rugova është ulur edhe ish-presidentja Atifetet Jahajaga. Në krahun e saj të djathtë është rezervuar vendi për presidentin Hashim Thaçi.
Në ceremoni po merr pjesë edhe Rifat Jashari. Ceremonia është planifikuar të fillojë në orën 11.
Nëna Terezë është shpallur Shenjtore nga Papa i Vatikanit. Po ashtu ajo është shqiptarja e vetme që ka marrë Çmimin Nobel për Paqe.