Përfaqësuesi ligjor i LVV-së porosit për gjyqtarët e PZAP-së: Shihemi pas 14 shkurtit

Prishtinë | 31 Jan 2021 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar gjyqtarët e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), se kanë kufizuar të drejtën themelore kushtetuese për tu zgjedhur.

Sallahu, ka thënë se “Dhjetë gjyqtarë të PZAP-së, të cilet vijnë nga Gjykata Themelore, Apelit dhe Supreme, nuk kanë ditur që neni 29 par.1 pika q) e Ligjit për Zgjedhje nuk është lex specialis në raport me nenin 100 të Kodit Penal të kohës”.

“Në këtë mënyrë kanë kufizuar të drejtën themelore kushtetuese për tu zgjedhur. Duhet patjetër që të vendosim kritere ligjore më të ashpra për pranim dhe disiplinim! Shihemi mbas 14 shkurtit!”, ka shkruar Sallahu.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të enjten ka refuzuar pjesërisht apelin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky organ, ka vërtetuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e pesë kandidatëve për deputetë të kësaj partie: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi.

Ndaj vendimit të PZAP, për mos certifikim të kandidatëve në listat e disa subjekteve politike, kanë parashtruar ankesa në Gjykatën Supreme në Kosovë, LVV, AAK, PAI, NDS dhe NISMA Socialdemokrateka. Ndsërsa ky organ gjyqësor ka njoftuar të premten se ka pranuar pjesërisht ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me certifikim të kandidatëve për garën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë,.

Sipas kësaj Gjykate, Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezi duhet të shtohen në listën e kandidatëve të LVV-së, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë vlerësim të gabuar të dënimit trevjeçar.

Në vendimin e së premtes, Gjykata Supreme ka miratuar pjesërisht edhe ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës duke kërkuar që kandidatit Shemsedin Dreshaj t’i mundësohet futja në listën e kësaj partie.

Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati nuk mund të certifikohen, bazuar në këtë vendim.

Ndërkaq ankesat e nisura nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Nova Demokratska Stranka (NDS) dhe NISMA Socialdemokrate, janë konsideruar të pabazuara.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në një përgjigje dërguar KQZ-së më herët gjatë këtij muaji, ka thënë se 47 kandidatë për deputetë kanë probleme me ligjin.

Aktgjykimi i Kushtetueses, por edhe neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili gjatë tri vjetëve të fundit ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme