Aktivistët e shoqërisë civile po kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që qasja e tyre ndaj rinisë dhe programeve për ta të jetë më produktive.
Avdyl Gashi, aktivist i shoqërisë civile në një prononcim për Ekonomia Online, tha se Qeveria duhet të ketë strategji të qartë për rininë.
“Me analizuar rininë në përgjithësi duhet me kuptuar që nuk është vetëm për ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por aplikohet në të gjitha fushat dhe duhet të jetë pjesë e të gjitha politikave shtetërore, për shkak se në atë formë krijohet qëndrueshmëri e politikave. Sado që qeveria mundet me filluar një strategji të caktuar nëse nuk e ka të paraparë komponentën e përfshirjes së rinisë ato politika implementohet, por qëndrueshmëria sigurohet vetëm kur punohet me rininë”, tha Gashi.
Sipas tij, qeveritë paraprake kanë bërë pak, krahasuar me nevojat që ka rinia, pasi rinia ka potencial të madh që mund të shfrytëzohet nga institucionet.
“Qeveritë paraprake kanë bërë shumë pak në krahasim me nevojat që ka rinia edhe veçanërisht në qasjen ndaj rinisë. Rinia nga politikëbërësit tanë shihet më shumë si brenda kornizave të punës vullnetare, ndonjë aktivizim rreth pastrimit të mbeturave por në fakt rinia kosovare është motori i Kosovës dhe ka potencial aq të madh i cili shfrytëzohet shumë pak prej institucioneve tona”.
Gashi tutje thekson se asnjë komunë nuk ka një strategji lokale mbi zhvillimin e rinisë, duke ndikuar në rritjen e numrit të të papunëve.
“Niveli lokal lë shumë për të dëshiruar për shkak se nëse analizojmë asnjë komunë nuk ka strategji lokale të zhvillimit të rinisë, një pjesë e madhe e komunave nuk kanë qendra rinore, nuk ndajnë fonde për OJQ-të që punojnë me të ri dhe i fuqizojnë të rinjtë, e krejt këto na paraqiten si probleme në nivelin nacional, migrim e papunësi dhe apati ndaj vendit”, theksoi tutje ai.
Ai e mirëpret nismën e ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për komisionin shtetëror të rinisë për një qasje ndryshe ndaj të rinjve.
“Nisma e Ministrisë për krijimin e këtij komisioni e përshëndes sepse është një hap i mirë që është marrë por varet nga struktura, përbërja e komisionit, se a do të ketë përfaqësues të shoqërisë civile dhe si do të zgjedhën ata. Është shumë e rëndësishme që qasja të jetë e hapur, puna të jetë trasparente dhe të punohet mbi parimin që për rininë me rininë”, përfundoi ai.
Aaktivisti tjetër i cili merret me çështjet dhe adresimin e problemeve të të rinjve, Ndriçim Çekaj në një deklaratë për Ekonomia Online tha se pandemia ka qenë një ndër faktorët kryesor që ka ndikuar shumë në aktivizimin e të rinjve.
“Sektorin e rinisë pandemia e ka prekur më së shumti, e sidomos në aspektin psikologjik kjo për faktin se rinia jonë i është nënshtruar një izolimi që se ka njohur më parë në jetën e tyre dhe kjo pastaj ka ndikuar në paralizimin e jetës rinore, qoftë në izolimin e madh por edhe tek pjesa tjetër e masave më të lehta”.
Tutje ai thotë se ka mundur që të ketë më shumë aktivitete nga rinia, mirëpo sipas tij, ka munguar koordinimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, dhe joefektiviteti i ministrisë në terren.
“Besoj që gjatë kohës së pandemisë ka pasur nevojë që të ketë shumë më shumë aktivizëm të rinjve dhe në këtë formë ky aktivizëm të jetë i udhëhequr nga ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kam parë aktivitete të ndryshme që i ka udhëhequr kjo ministri por që besoj se ka mundur të bëjë edhe më shumë, ka munguar koordinimi mes institucioneve qendrore dhe lokale, ka pasur disa fonde apo shuma të caktuara që i ka ndarë ministria por jo diçka efektive në terren”.
Ai thotë se ndryshimet politike në vend dhe ndërrimi i qeverisjeve ka ndikuar që edhe vizionet e punës të jenë më ndryshe dhe efektet negative të shihen edhe te të rinjtë.
“Gjatë kësaj kohe ka pasur edhe ndryshime politike dhe është udhëhequr nga dy subjekteve të ndryshme që kanë pasur ndoshta edhe vizione të ndryshme, por që shkaktojnë një lloj konfuzioni edhe në bashkëpunimin mes ministrisë dhe organizatave të shumta rinore, poashtu ka nevojë që të ndërrohet ligji për fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë, pasi nuk është i aplikueshëm në terren”.