Përfaqësuesja e Kosovës ka filluar përgatitjet për përballjen e parë kualifikuese për Botërorin 2018, që do ta zhvillojë kundër Finlandës.
Përmes një komunikate për media FFK-ja bën të ditur se përveç stërvitjes së parë janë bërë edhe analizat e ndeshjeve të kaluara të Finlandës.
“Sot në Qendrën Kombëtare sportive në Eerikkila, ku është e vendosur Përfaqësuesja e Kosovës para dite mbajti seancën e parë stërvitore, ku paraprakisht në sallë me videoprojektor kanë analizuar disa nga ndeshjet e Finlandës me kundërshtarë të ndryshëm”, thotë FFK.
Më tutje thuhet se atmosfera në përfaqësuese është mjaft e mirë dhe entuziaste. Gjendja shëndetësore e futbollistëve është e mirë dhe sipas fjalëve të mjekut Murat Berisha nuk ka asnjë problem, ndërkaq po bëhet sipas planit për trajtim fizioterapeutik.
FFK thotë gjithashtu se për veshjen e ekipit përfaqësuese është kujdesur kompania e mirënjohur spanjolle KELME, e cila ka marrë obligim veshjen për këtë ndeshje, ndërkohë që FFK-ja do të bisedojë pas kësaj ndeshje për të vazhduar bashkëpunimin.
Përfaqësuesja do të ketë stërvitjen e dytë sot pas dite.