Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (meshkujt) sot udhëton për në Stamboll të Turqisë ku do të përgatitet për dy ndeshjet kualifikuese me Izraelin. Në Stamboll, Kosova do t’i luajë dy ndeshje stërvitore me Turqinë. Ndeshjet me Turqinë luhet më 6 e 7 prill e më pas përfaqësuesja kthehet në Prishtinë ku e luan ndeshjen e parë me Izraelin.
Ndeshja Kosova – Izraeli luhet më 10 prill nga ora 19:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Më pas më 14 prill Kosova luan sërish me Izraelin në Tel Aviv. Janë këto dy ndeshjet e radhës në fazën e dytë të kualifikimeve për “Euro 2020”.
Përzgjedhësi Taip Ramadani ditë më parë ka bërë të ditur emrat e lojtarëve me të cilët do të paraqitet ndaj Izraelit. Ai ka vërejtur ngritje të nivelit të lojtarëve ndërsa ka thënë se synim në ndeshje ndaj Izraelit do të jetë fitorja. Ramadani ka treguar edhe për lojtarët që nuk kanë pasur mundësi të bashkohen këtë herë me ekipin kombëtar e po ashtu për cilësitë e Izraelit.
“Nesër udhëtojmë për Stamboll për përgatitje të përbashkëta me përfaqësuesen turke. Do t’i luajmë dy ndeshje trajnuese me turqit. Në ato ndeshje do të kem rastin e mirë t’i vlerësoj lojtarët para dy ndeshjeve kualifikuese. Lojtarët janë në pjesën përfundimtare të edicionit dhe pres që të gjithë të jenë në kulminacion të formës fizike. Kam pasur rast po ashtu që të përcjell ndeshjet e Superligës së Kosovës dhe në përgjithësi jam i kënaqur me nivelin e lojtarëve. Kam vërejtur një përmirësim te shumë lojtarë, sidomos në pikëpamje fizike”, ka thënë selektori Ramadani.
Ramadani ka treguar se në plane i ka pasur edhe alot Florim Hoxha e Oltion Beshiri dhe portierin Flamur Gërbeshi, që për angazhime tjera profesionale nuk kanë pasur mundësi të bashkohen me ekipin kombëtar.
“Gjithashtu isha shumë i prirur për të kthyer në kombëtare Egzon Gjukën, i cili është në rikuperim e sipër pas një lëndimi të rëndë. Ai është kthyer te Besa Famgas, por Egzoni dhe trajnerët e tij kanë vlerësuar se i duhet edhe pak kohë që të arrijë formën e plotë. Egzoni është qendër intelegjente dhe organizator i shkëlqyeshëm i sulmit. Shpresoj se ai shpejtë do t’i bashkohet kombëtares”, ka shtuar Taip Ramadani.
Derisa ka folur për ndeshjet me Izraelin, selektori i Kosovës ka thënë: “Parimisht synim është të arrijmë fitore në shtëpinë tonë dhe aty mund të njoftohemi për së afërmi me kundërshtarin dhe të mendojmë për ndeshjen kthyese në Tel Aviv. Shpresojmë se kemi potencial për të marrë fitore. Por duhet të luajmë me maksimumin tonë dhe të luajmë në nivel superior. Do të jetë një ndeshje jashtëzakonisht luftarake. Izraeli ka ekip fizik dhe luftarak që luan me intenzitet të lartë. Nuk ka gjatësi në përbërje, por fizikisht lojtarët janë mirë të përgatitur dhe kanë shpejtësi në sulm. Izraelitët sigurisht janë frymëzuar nga fitorja e tyre historike ndaj Polonisë”.