Rrjeti i Grave të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Koalicionit për Barazi në të cilën është diskutuar për fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë, raporton Ekonomia Online.
Pjesë e këtij tubimi ishte edhe shefja e UNDP-së Ulirika Richardson.
Richardson tha se gratë nuk duhet të mbesin të afta vetëm në aspektin social, por edhe atë ekonomik e politik.
“Kur keni gra në politikë, kemi pasë edhe raste kur ato kujdesen për shtëpinë dhe fëmijët, kemi menduar që sa problem është t’i kombinojmë këto gjëra për të mbërritur edhe suksesin. Gratë janë të mira edhe për ta ruajtur ekonominë e shumë gjëra të tjera pra ato nuk kanë aftësi vetëm për çështje sociale”, u shpreh ajo.
Richardson tha se gratë duhet të bëjnë përpjekje për rezistencë pasi që rezistenca është shtyllë e gruas.
“Është shumë me rëndësi të kemi numra të grave në politikë, legjislativ e ekzekutiv. Duhet të shtojmë përpjekjet tona për rezistencë sepse rezistenca është një shtyllë e gruas dhe është me rëndësi të regjistrohet. Fillimisht të injorojnë pastaj të përqeshin e pastaj t’i fiton”, tha ajo.
Kryetarja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova, ka thënë se ka shumë gra të cilat pavarësisht sfidave kanë arritur synimet e tyre.
“ Në këtë dhomë kemi shumë gra të fuqishme, gra të cilat kanë kaluar sfida të ndryshme, gra të cilat kanë kaluar edhe sulme të ndryshme vetëm pse janë gra dhe që janë gra të fuqishme, ato kanë arrit me i kalu ato sfida dhe me qenë aty ku janë”, ka thënë Rugova.
Deputetja e PDK-së, Maxhide Mjaku-Topalli, si koordinatore e Rrjetit të Grave tha se Kosova nga pas lufta ka bërë hapa të rëndësishëm për rritjen e numrit të grave në politikë.
“Është kënaqësi të jemi prapë bashkë. Ky projekt përveç që do arrijë të lëvizim gjërat që janë në interes për femrat, do arrijë të na bëjë bashkë dhe ta mbështesim njëra-tjetrën. Nga pas lufta Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në rritjen e numrit të grave në politikë. Zbatimi i legjislacionit ka hapur rrugë më të gjëra për pjesëmarrjen e grave në politikë”, tha ajo, raporton EO.
Duke i përmendur gratë në rolet udhëheqëse, Mjaku tha se ende duhet angazhim dhe përkrahje që të rritet numri i grave udhëheqëse në politikë.
“E dimë që vendi ynë ka pasë presidente, kemi pasë edhe ministre, e kemi edhe ambasadore që na përfaqësojnë denjësisht, kemi pasur edhe një kryetare komune. Megjithatë kjo arritje duhet të njihet, por mbeten shumë role udhëheqëse ku gratë nuk janë të përfaqësuara dhe kjo mbetet një problem. Partitë duhet ta përqafojnë frymën e kuotës gjinore duke krijuar strategji. Organizatat duhet të monitorojnë efektet e kuotave gjinore. Shoqëria civile dhe mediet duhet të marrin masa në edukimin e votuesve në ndjeshmëri gjinore”, tha Majku-Topalli.