Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, ka kërkuar nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të bëjnë kërkesë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për t’ia lejuar shfrytëzimin e fushës së stadiumit të qytetit të Prishtinës.
Bunjaki kërkon që në këtë stadium, që është në rinovim e sipër, të zhvillojë përgatitjet për dy ndeshjet e fundit eliminatore për botërorin “Rusia 2018”, që luhen në fillim të muajit të ardhshëm, shkruan sot Koha Ditore.
Stadiumi i qytetit të Prishtinës ka nisur të rinovohet në qershor të vitit të kaluar dhe nuk pritet të jetë gati para pranverës së vitit të ardhshëm, nëse punët shkojnë me dinamikën e paraparë.