Ka rënë në pranga shtetasja kineze që drejtonte rrjetin që shfrytëzonte vajza, kryesisht të huaja, për prostitucion në Tiranë. Na Dong, 38-vjeçare dyshohet se ajo ka përfituar 15 mijë euro nga njëra prej vajzave që ka dashur të hiqte dorë nga prostitucioni.
Njoftimi zyrtar
Vijon operacioni policor i koduar “Red Light 2”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Rinas.
Arrestohet një 38-vjeçare, shtetase kineze, e implikuar në veprimtarinë kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, do të kalonte një shtetase në kërkim, për shfrytëzim prostitucioni, kanë vijuar operacionin policor të koduar “Red light 2”.
Si rezultat i tij u ndalua shtetasja kineze N. D., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim për veprat penale “Shfrytëzimi prostiucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 114, 115, 109-b, 90 të Kodit Penal.
38-vjeçarja së bashku me shtetasen Y. Y., 52 vjeçe (arrestuar më parë gjatë operacionit), dyshohet se rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze të cilat më pas i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy shtetaset e arrestuara, me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara.