Performanca e prokurorëve diskutohet larg medieve

Prishtinë | 14 Qer 2017 | 10:49 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim që në diskutim të pikës ku do të flitet për Raportin e Komisionit për vlerësimin e performancës për 16 prokurorë ta mbajë dyer të mbyllura.

Medieve nuk do t’iu lejohet të jenë prezentë në këtë diskutim, raporton Ekonomia Online. Kjo pikë ishte e fundit sipas rendit të ditës së takimit të sotëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar kërkesën për buxhet shtesë për vitin 2018 në shumën prej 3 milionë e 521 mijë euro. Këto mjete janë kërkuar për kategorinë e pagave dhe mëditjeve, për mallra dhe shërbime, si dhe për investime kapitale.

Kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel dhe anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurori  Zejnulla Gashi ka paraqitur kërkesën për rritje të buxhetit për këto kategori duke thënë se janë katër sfida me të cilat po ballafaqohen.

“Nevoja për personel shtesë dhe ngritja e kapaciteteve të sistemit prokurorial, mjete të nevojshme për kategorinë e pagave dhe mëditjeve, mjete të nevojshme për kategorinë e mallrave dhe shërbime dhe investimet kapitale. Për të gjitha këto sfida është arsyetuar nevoja për mjetet shtesë, duke përcaktuar edhe shumën e mjeteve të nevojshme. Buxheti shtesë i kërkuar për vitin 2018 përveç asaj që është në qarkoren buxhetore, është për paga dhe mëditje 1 milion e 707 mijë, për mallra dhe shërbime është 1 milion e 014 euro, për investime kapitale është 800 mijë që në total janë 3 milionë e 521 mijë euro”, ka thënë ai.

E drejtori i sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, ka folur më gjatë për këto kërkesa duke thënë se janë bazuar në sfidat me të cilat po përballen.

“Nevoja për personel shtesë, mjetet e pamjaftueshme të kategoria mallra dhe shërbime për disa shërbime dhe sidomos të disa kategori specifike që janë dhënë në kërkesë. Lidhur me personelin, ne kemi bërë kërkesë shtesë lidhur me personelin. Për bashkëpunëtor profesional pasi në tërë sistemin prokurorial janë vetëm 10 pozita të aprovuara të bashkëpunëtorëve profesional dhe është bërë kërkesa që së paku të jetë një bashkëpunëtor për dy prokuror, është bërë kërkesa për 90 bashkëpunëtorë shtesë. Është bërë kërkesë për 17 zyrtarë ligjor shtesë që të mbulojnë prokurorë që përfundojnë trajnimin në fund të këtij viti dhe fillojnë si prokuror në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi po ashtu ka treguar edhe kërkesat e tjera për të cilat kanë nevojë për rritje të buxhetit.

“Është bërë kërkesë shtesë për personel në rate të përkthyesve dhe këtu është vërejt një sfidë dhe një mungesë e personelit, është bërë kërkesë për kompletimin e kabinetit të kryeprokurorit, kompletimin e pozitave pas riorganizimit të sekretariatit, kompletimin e pozitave që nuk janë aprovu asnjëherë lidhur me zyrtarët për komunikim me publikun, është bërë kërkesë se cila kategori të ketë personel adekuat për këtë qëllim, është bërë kërkesë shtesë për stafin e mbrojtësve të viktimave dhe numri nuk është i madh është tre që kërkohen më shumë”, ka thënë ai.

Këshilli Prokuoriral i Kosovës ka miratuar kërkesën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shyqeri Jashari për vazhdimin e transferit të prokurorit Arben Ismajli, në këtë prokurori edhe për 6 muaj.

 

Të ngjashme