Komuna e Hanit të Elezit pothuajse e realizoi planin e të hyrave vetjake për periudhën janar-qershor 2016.
Shabi Rexhallari, drejtor për Buxhet dhe Financa, në raportin e prezantuar në takimin e rregullt të Bordit të Drejtorëve tha se Komuna e Hanit të Elezit ka pasur trend rritës të të hyrave vetjake për periudhën janar – qershor 2016 .
Ai tha se në këtë periudhë janë arkëtuar 134 944 € apo 48.19% nga planifikimi i të hyrave për vitin 2016, që është në shumë prej 280 000 €.
Të hyrat e këtij gjashtëmujori kanë shënuar rritje për 14 364 € apo 11.91% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2015.
Sa i përket llojit të të hyrave vetanake të hyrat nga tatimi në pronë janë arkëtuar në shumë prej 45 873 € apo 33.99% e të hyrave totale, ku në krahasim me periudhën e njëjtë gjashtëmujore kanë shënuar rritje prej 16.98%, të hyrat nga ushtrimi i veprimtarisë biznesore janë arkëtuar në shumë prej 53,980.00 € apo 40.00% e të hyrave totale, të hyrat e Urbanizmit dhe Kadastrës janë arkëtuar në shumë prej 11,208.39 € apo 8.31% e të hyrave, të hyrat nga regjistrimi i automjeteve janë në shumë prej 7,624.00 € apo 5.65%, të hyrat nga drejtoria e shërbimeve publike janë arkëtuar në shumë prej 5,519.00 € apo 4.09% e të hyrave vetanake, të hyrat nga participimet në shëndetësi në shumë prej 3,503.10 € apo 2.60%, të hyrat nga dokumentet zyrtare janë grumbulluar në shumë prej 3 072 € apo 2.28% dhe të hyrat indirekte (dënimet në trafik dhe nga gjykatat) janë mbledhur në shumë prej 4,105.00 € apo 3.04%, theksoi Rexhallari.
Këto të hyrat vetjake komunale janë realizuar në bazë të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, Rregullores për Taksa, Tarifa dhe Ngarkesat Komunale, Rregullores së Tatimit në Pronën e Paluajtshme si dhe dispozitave tjera ligjore të cilat përcaktojnë llojet e ndryshme të të hyrave komunale me të cilat komuna është e autorizuar dhe ka të drejtë t’i inkasoj.
Këto të hyra komuna pas grumbullimit ekskluzivisht i shpenzon për qëllime të realizimit të projekteve kapitale si, në infrastrukturë rrugore, në ujësjellës, kanalizime dhe investime e tjera në bujqësi, që thënë ndryshe këto mjete pas inkasimit menjëherë iu rikthehen qytetarëve apo tatimpaguesve përmes formës së investimeve të destinuara për ngritjen e infrastrukturës komunale dhe mirëqenies sociale.