Përfshihet nga Coronavirusi një kamp refugjatësh në Gjermani

Prishtinë | 18 Maj 2020 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Një kamp refugjatësh në Gjermani është goditur nga përhapja e Coronavirusit, bëri të ditur një zëdhënëse e qeverisë rajonale në Këln.

Kampi i ndodhur në Sankt Augustin e regjistroi rastin e parë me Covid-19 të premten e kaluar. Prej asaj dite, 120 nga 489 banorët e kampit kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus, shkruan “CNN”.

Zëdhënësja Vanesa Nolte tha se në të vërtetë, vetëm 312 banorë të kampit janë testuar. Këta persona nuk janë të detyruar të qëndrojnë brenda kampit, por mund të dalin dhe të kthehen përsëri. Për më tepër, me virusin e ri janë infektuar edhe dhjetë pjesëtarë të stafit.

Kjo zëdhënëse bëri të ditur se shumica e refugjatëve janë të rinj dhe familje, por nuk dha ndonjë informacion për nacionalitetin e tyre.

Kampi është vendosur në karantinë të plotë, që do të thotë se askush nuk mund të hyjë apo të dalë, ndërsa autoritetet janë duke punuar që t’i ndajnë personat e infektuar nga personat e shëndoshë.

Kjo po paraqet sfidë për autoritetet, sepse disa prej banorëve të kampit nuk po dëshirojnë të zhvendosen nga ai vend, tha zyrtarja.

Të ngjashme