Analistët politikë në Prishtinë, mundësinë e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e shohin si të rëndësishëm dhe një mundësi të mirë që procesi të japë rezultate pozitive.
Naim Rashiti, drejtor i Grupi Ballkanik për Politika në Kosovë, konsideron se pjesëmarrja eventuale e SHBA-së në dialog, është tejet e rëndësishme, pasi që, sipas tij, do të ndihmojë që procesi të shkojë më shpejt drejt përfundimit.
“Tash, faza tjetër e dialogut që duket të jetë një fazë shumë më e komplikuar dhe më e rëndë sepse dëshirohet një marrëveshje më gjithëpërfshirëse.Me çdo kusht Kosova insiston në rolin e SHBA-së dhe angazhimin në dialog, por me gjasë edhe zonja Mogerini e ka kuptuar këtë çështje dhe ajo ka pasur një takimi me zëvendëspresidentin Pence për të gjetur modalitetet e angazhimit të SHBA-së në procesin e dialogut. Unë besoj që krahas tyre edhe Gjermania do të ketë një rol më të intensifikuar në procesin e dialogut”, thotë Rashiti.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij të fundit në New York, ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në procesin e dialogut Prishtinë- Beograd.
Thaçi në takimi me zëvendëspresidentin e Mike Pence ka thënë se “përfshirja direkte e SHBA-së në këtë fazë përfundimtare, është përcaktuese për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të zbatueshme për të dy palët”.
Rashiti thotë se kërkesa e presidentit Thaçi është e drejtë.
“Është e drejtë kërkesa dhe besoj se do të rezultojë me një angazhim më të theksuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, vlerëson Rashiti.
Kurse, analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj, thotë se në fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë, përveç SHBA-së mund të pritet të përfshihet edhe Gjermania, por siç thotë ai, edhe Rusia mund të kërkojë të njëjtën gjë.
“Shtetet e Bashkuar të Amerikës besoj se do të përfshihen gjithsesi, natyrisht se mbetet të shihen modalitetet se në çfarë forme do të përfshihen. Por, nëse përfshihen Shtete e Bashkuara në të njëjtin nivel apo të njëjtin modalitet unë pres të përfshihet edhe Rusia. Përndryshe nuk pres që vetëm SHBA-ja të jetë pjesë e dialogut”, vlerëson Mushkolaj.
Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, thotë Mushkolaj, do t’i jepte një ritëm më të shpejtë zbatimit të marrëveshjeve dhe vetë procesit.
“Përfshirja e ndonjë përfaqësuesi të administratës amerikane, besoj se do të mund t’i jepte një impuls të ri dialogut dhe të mos zvarritet edhe më tej siç ka ndodhur që nga viti 2011 me dialog teknik e më pastaj edhe politik. Por, është krejt çështje tjetër se si do të përgjigjet SHBA-ja dhe nëse në të vërtetë e shohin të nevojshme që në këtë fazë, me gjithë ato probleme që i kanë në vendet e tjera të botës, të përfshihen edhe në përfundimin e dialogut të Kosovës me Serbinë”, thekson Mushkolaj.
Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë kanë thënë se pas gjashtë vjetësh që nga fillimi i dialogut në Bruksel, përveç ngecjes në planin e zbatimit të marrëveshjeve, raportet në mes Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një interviste për Radion Evropa e Lirë ka thënë se vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë shërbim për popujt, pra të mos mbetet dialog vetëm i liderëve.
Kurse, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë thënë se ky institucion duhet të ketë një rol shumë më aktiv në proces.
Deri më tani Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një varg marrëveshjesh në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, përfshirë edhe marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, është relaksimi i raporteve ndërmjet dy vendeve në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë tutje me procesin e integrimit evropian./rel