Kanë përfunduar punimet e rrugëve brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të nisura 15 ditë më parë.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është shprehur falënderues ndaj ministrit të Shëndetësisë për bashkëpunimin i cili, sipas tij, u ka mundësuar të bëjnë diçka për qytetarët që vizitojnë këto qendra shëndetësore, raporton Ekonomia Online.
“Ndihem mirë që keni bërë këtë projekt që ka impakt pozitiv. Me të vërtetë ky projekt ka pasur sukses”.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se punimet e rrugëve në QKUK kanë përfunduar me sukses.
“Dihet që vijnë pacientë që ndonjëherë kanë dhimbje, është e vështirë me kalu nëpër rrugë të vështira, prandaj i them faleminderit ministrit të Infrastrukturës”.
“Do të jetë shumë më komfort për pacientët”.
Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se punimet janë zhvilluar në rregull dhe nuk janë bërë pengesë për pacientët apo për punën brenda QKUK-së, raporton EO.
“Është një bashkëpunim që është në dobi të institucionit që reflektohet te pacienti. Po mundohemi të përmirësojmë kushtet e ofrimeve të shërbimeve shëndetësore, rregullimin e infrastrukturës. Rregullimi i rrugëve është një ndihmesë mjaft e madhe duke llogaritë që këtu qasje kanë pacientët. Kur kanë infrastrukturë është më lehtë”.
Ndërsa i pyetur për hapësirat e parqeve, Ismaili ka thënë se do të merren edhe me këtë çështje që të shtohen parqet brenda QKUK-së.