Përfundon dëshminë eksperti i kriminalistikës, mbrojtja thotë se s’është e plotë

Prishtinë | 04 Mar 2026 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dytë i Prokurorisë Koen Herlaar, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

Dëshmia e ekspertit Koen Herlaar, sipas mbrojtjes së Isni Kilajt e përfaqësuar nga avokati Joe Holmes, është e paplotë.

Kemi një kërkesë të shkurtër që ka të bëjë me dëshmitarin 8 dhe përderisa jemi drejt fundit të dëshmisë së dëshmitarëve të Prokurorisë ka disa çështje të tjera që nuk u përmendën nga dëshmitari 8, dhe ne parashtrojmë që lidhen më shumë me drejtësinë e procesit dhe pranimit të dëshmisë së tij dhe ne parashtrojmë dhe mendojmë se kjo është një dëshmi e paplotë. Ketë e dimë sepse në shumë prej pyetjeve të rëndësishme të ekipeve të mbrojtjes, dëshmitari nuk pati mundësi që të jepte përgjigje”, tha avokati.

Holmes rrjedhimisht, kërkoi shtatë ditë kohë për të dorëzuar parashtrime lidhur me ketë pjesë.

“Kështu që në thelb kërkojmë shtatë ditë që të dërgojmë parashtrime lidhur me këtë element në mënyrë të tillë që të trajtojmë akt-ekspertizën e ekspertit, por edhe gjithashtu që të na u jepet mundësinë që të shprehemi lidhur me këtë pikë”, tha ai.

Kësisoj, gjyqtari Chrsitoph Gosnell vendosi për disa minuta pushim, duke shtuar se pas pushimit do të merret vendim për kërkesën në fjalë.

Gjithashtu, pjesa pasuese e seancës do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës në këtë rast gjyqësor.

Të ngjashme