Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur takimin e Kryesisë, ku ishte paralajmëruar se do të përcaktohej kandidati i kësaj partie për kryeministër, si dhe koalicionet e mundshme parazgjedhore, raporton Ekonomia Online.
Pas mbledhjes, Vjosa Osmani nuk ka treguar nëse do të jetë kandidate për kryeministre.
Ajo tha se kjo do të bëhet e ditur përmes një konference që do ta mbajë LDK-ja.
“Kjo është mbledhje që do të vazhdoj edhe ditëve në vijim , kështu që ende nuk ka përfunduar mbledhja dhe temat që do të trajtohen”, tha ajo.
Në pyetjen se cilat janë arsyet që kanë munguar Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, Osmani tha se duhet të pyeten ata.
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, tha se LDK-ja është partia më e madhe dhe posti i kryeministrit i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Mustafa para gazetarëve ka thënë se Kryesia ka shprehur vullnetin që në takimin e radhës të diskutohet edhe për koalicionin e mundshëm LDK-VV.
Ai ka bërë të ditur se është konfirmuar se nuk do të ketë koalicion midis LDK-së dhe PDK-së
“Në takimin e sotëm të kryesisë së LDK-së u diskutua dhe u pajtuam në disa çështje . E para është një rikonfirmim i kryesisë së LDK-së se nuk do të kemi një koalicion me PDK-në . Në mbledhjen e ardhshme të kryesisë do të diskutohet për vullnetin dhe çështjen e koalicionit të mundshëm me LVV. Po ashtu në takimin e ardhshëm të kryesisë , pasi qe jemi partia më e madhe në vend dhe posti i Kryeministrit i takon LDK-së , si dhe në takimin e ardhshëm të kryesisë që do të mbahet të hënën në mëngjes do të diskutohet edhe për mandatarin tonë për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Sot janë hapur diskutimet për mandatarin e Kryeministrit, por të hënën do të diskutohet në detaje”, tha Mustafa.