Përfundon seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve, avokati Emmerson e mori në pyetje dëshmitarin në sesion privat

Prishtinë | 12 Tet 2023 | 11:54 | Nga Ekonomia Online


(Përditësuar, ora: 11:48)- Ka përfunduar duke qenë e mbyllur, seanca e së enjtes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku pyetjeve të avokatit mbrojtës të Veselit, Ben Emmerson iu është përgjigjur dëshmitari i 30-të.

Kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, njoftoi se seanca e radhës në këtë rast do të mbahet të hënën më 16 tetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancë të së hënës, pritet të dëgjohet dëshmitari i 29-të i cili dje nuk ishte i gatshëm të dëshmonte.

Mbrojtja e Veselit kërkon që ta marrë në pyetje dëshmitarin në seancë të hapur

(Përditësuar, ora: 10:32)- Me të filluar seanca e së enjtes, avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka kërkuar që pyetjet e tij drejtuar dëshmitarit të 30-të të jenë në seancë publike.

Kërkesën e Emmersonit e kundërshtoi prokurori Matt Halling, por kryetari i trupit gjykues Charles Smith III e aprovoi kërkesën e Prokurorisë dhe seanca vazhdoi e mbyllur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Do iu bëj fillimisht disa pyetje sqaruese në emër të Kadri Veselit”, tha avokati Emmerson.

Por, prokurori Halling ia rikujtoi se janë në seancë publike “Jemi në seancë publike, dua t’ua bëj me dije”.

“Po, unë dua ta pyes dëshmitarin në seancë të hapur, me përjashtim të ndonjë nevoje të jashtëzakonshme për të kaluar në seancë private”, u përgjigj Emmerson.

Halling tha se ua kanë dërguar një e-mail, ku kanë treguar se dëshmitari i 30-të është masa mbrojtëse.

“Kështu që është e nevojshme që të gjitha pyetjet dhe kundërpyetjet të bëhen në seancë private”, e vazhdoi diskutimin prokurori.

Megjithatë, Smith tha se duhet të kalohet në seancë private.

“Me vjen keq, duhet të kalojmë në seancë private. E kuptoj që doni që seanca të jetë publike, por ky dëshmitarë është me masa mbrojtëse dhe duhet marrë parasysh”, deklaroi ai.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues ia rikujtoi dëshmitarit që ende është nën betim dhe duhet ta thotë të vërtetën.

“Mos harroni të na thoni ku i bazoni njohuritë, faktet dhe rrethanat për të cilat do të na jepni përgjigje. Ju rikujtoj se jeni ende në betim për të thënë të vërtetën”, tha kryetari i trupit gjykues.

Seancën e sotme Jakup Krasniqi është duke e përcjellë përmes video-lidhjes, ndërsa të akuzuarit e tjerë janë në sallën e gjyqit.

Ish-pjesëtari i UÇK-së e vazhdon edhe sot dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Edhe sot, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i 30-të (me kodin W04769) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitarë për të cilin Gjykata Speciale njoftoi se është ish-pjesëtar i UÇK-së, ka dëshmuar edhe në seancën e djeshme, e cila ka qenë e mbyllur për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari i 30-të, u ftua në sallë pasi që i 29-ti tha se nuk ishte i gatshëm që të dëshmonte, por ishte i gatshëm që të shkonte në burg. Po ashtu, ai kërkoi edhe nga trupi gjykues Charles Smith III që t’i japin një muaj kohë në këtë proces.

Kërkesa e tij u refuzua pjesërisht nga trupi gjykues, kështu që u morë vendim që dëshmitari i 29-të, a vazhdojë dëshminë e tij të hënën më 16 tetor.

Vlen të theksohet se seanca e ditës së sotme do të jetë më e shkurtë, për shkak se do të mbahet konferenca javore. Në këtë konferencë do të jepen informata javore lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të Gjykatës.

Gjithashtu, do të ketë edhe konferencë mbi ecurinë e çështjes ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit, të cilët në seancën e parë para gjyqtarit të procedurës paraprake Nicolas Guillou, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Të ngjajshme
ZPS planifikon ndryshim të dëshmitarëve të javës së ardhshme…

11 Tet, 2023, 16:42
Dëshmitari i 29-të në gjykimin Thaçi e të tjerët, me të…

10 Tet, 2023, 16:15
Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari deklarohen të pafajshëm për…

9 Tet, 2023, 18:19
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse. Pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë. Kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili e përfundoi më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të. Dëshmitari i 11-të e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor.

Ndërsa, më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.

E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams, i cili përfundoi më 11 shtator.

Më 11 shtator ka përfunduar edhe dëshmia e dëshmitarit të 23-të, ndërkaq më 12 shtator ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 24-të.

Në të njëjtën ditë ka filluar dëshminë dëshmitari i 25-të Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, i cili ka përfunduar dëshminë më 14 shtator.

Kurse, më 25 shtator ka filluar dëshminë dëshmitari i 26-të, i cili ka përfunduar më 26 shtator, ku në seancë të mbyllur ka filluar dëshminë dëshmitari i 27-të. Më 9 tetor ka filluar dhe më 10 tetor ka mbaruar dëshminë e tij dëshmitari i 28-të, ish-reporteri i Tanjugut, Nebojsha Radosheviq (me kodin 03880). Po më 10 tetor, ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i 29-të i mbrojtur me kodin Ë04577, në këtë proces. Ndonëse, kërkoi një muaj kohë në këtë proces, dëshmitari i 29-të pritet që dëshminë e tij ta vazhdojë me 16 tetor.

Ndërsa, në po të njëjtën ditë me dëshmitarin e 29-të, ka filluar dëshminë edhe i 30-ti e që pritet ta vazhdojë edhe në ditën e sotme.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Të ngjashme