Përfundon sot afati i dorëzimit të aplikacioneve për banesa sociale

Prishtinë | 13 Dhj 2016 | 12:31 | Nga

Siç thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës, organi kompetent komunal pas mbylljes së procesit të konkurrimit, përgatit raportin për Komisionin Vlerësues në të cilin pasqyron të dhënat rreth procesit, kërkesave dhe dokumentacionit të administruar, si dhe verifikimet paraprake që janë bërë gjatë fazës së pranimit. Dokumentacioni  i kompletuar pas 5 ditësh i përcillet këtij Komisioni.

“Të martën (20 dhjetor) Komisioni fillon me procedurën e vlerësimit të gjendjes së banimit të familjeve sipas dokumenteve ekzistuese  në lëndët e tyre, brenda 30 ditësh, e mandej për të filluar edhe në verifikimin e të dhënave të aplikuesve në terren me qëllim të përcaktimit të gjendjes reale, në mënyrë që procesi i vlerësimit të jetë sa më i saktë dhe transparent”, thuhet në njoftim, raporton Ekonomia Online.

“Gjatë gjithë procesit do të vazhdojmë të bëjmë thirrje publike që sa më shumë vëzhgues të jenë prezent, në mënyrë që të garantohet transparenca e procesit të vlerësimit. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, do të publikohen rezultatet e komisionit sipas sistemit të pikëzimit dhe secili qytetar do të jetë në gjendje të shikojë vlerësimin që është bërë me arsyetimin përkatës. Kundër vendimit të Komisionit, familjet të cilat janë të pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë brenda 30 ditësh në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në njoftim.

Komuna e Prishtinës, menjëherë pas përfundimit të këtij procesi do të fillojë procesin e shpërndarjes edhe të 50 njësive tjera banesore që ka në dispozicion për kategoritë e dala nga lufta. Gjithashtu, Komuna e Prishtinës është në fazën e përgatitjes së “Hartimit te Programit 3 vjeçar të Banimit Social” në përputhje me kërkesat e Ligjit Nr.03/L-164 “Për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit”.

Takimi i parë i Komisionit do të mbahet në Ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës, në Sallën nr. 37 me  20 dhjetor 2016, me fillim prej orës 10:00. Ky takim është i hapur për media.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme