Ka përfunduar takimi i krerëve të shtetit pas deportimit të gjashtë shtetas turq të lidhur me lëvizjen gyleniste. Takimi është mbajtur në zyrën e Presidentit, Hashim Thaçi.
Nga zyra e Presidentit është parë të dalë kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, raporton Ekonomia Online.
Një takim është mbajtur edhe mes kryeministrit Ramush Haradinaj, ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorit të Policisë Shpend Maxhuni.
Askush nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për gazetarët. Përmes një komunikate Haradinaj ka kërkuar raportim në detaje nga ministrat Flamur Sefaj (MPB) e Abelard Tahiri (MD), si dhe nga AKI-ja dhe Policia e Kosovës për krejt atë që ka ndodhur.
“Kërkoj nga ju, që në përputhje me përgjegjësitë tuaja Kushtetuese dhe Ligjore, raportim të plotë dhe të saktë lidhur me rastin e ndalimit dhe deportimit të gjashtë qytetarëve turq nga Kosova. Pse u revokuan lejeqëndrimet e tyre? Pse u bë ndalimi i tyre? Pse janë deportuar me urgjencë dhe në fshehtësi?”.
Nuk dihet nëse të arrestuarit janë dërguar në Turqi, por mediat turke kanë raportuar se ata tashmë janë në dorë të autoriteteve atje.