Falë një projekti të Komunës së Fushë-Kosovës, Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (15.000€),të bashkëfinancuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (40.000 €), Instituti Arkeologjik, nën udhëheqjen e arkeologëve: Premt Alaj (Instituti Arkeologjik i Kosvës) dhe Arben Hajdari (Universiteti i Prishtinës), ka realizuar projektin “Hulumtime dhe konservime – restaurime në Kalanë e Harilaçit”.
Projekti është vazhdimësi e projekteve të filluara që nga viti 2013 dhe ka synim konservimin dhe restaurimin e të gjitha strukturave arkitektonike të zbuluara derimëtani, me qëllim të mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë arkeologjike.
Projekti është realizuar gjatë muajve qershor-shtator 2016, me një numër ekspertësh, arkeologë, konservatorë-restauratorë, skicograf dhe studentë të arkeologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Gjatë kësaj fushate është konservuar dhe restauruar muri fortifikues lindor i kalasë i cili ndjek aksin veri-jug; pastaj është punuar gjithashtu edhe “kapuçi” i strukturave të konservuara në vitin 2015 në kompleksin e portës 1.
Është kryer i tërë “kapuçi” i strukturave të konservuara dhe restauruara në vitin 2015 si dhe është bërë fugatimi i domosdoshëm në ato pjesë të strukturave origjinale në këtë hapësirë, pastaj është konservuar dhe restauruar muri rrethues i gërmuar në një gjatësi prej cca 50 m, gjerësia e të cilit është 2.20 m. Lartësia e konservimit-restaurimit të tij, varësisht nga shkalla e dëmtimit, varion në mes 0.40 – 2.20 m.
Gjatë gërmimit të murit rrethues është zbuluar gjithashtu edhe një material i pasur arkeologjik, kryesisht fragmente ene prej qeramike.
Projekti, vazhdon sipas planifikimit buxhetor edhe në vitet në vijim.