Përgatitjet po vazhdojnë për organizimin e një ceremonie zyrtare evropiane në nderim të Helmut Kohl, shtylla e ndërtimit të BE-së, i cili vdiq të premten në moshën 87-vjeçare, theksoi sot një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Presidenti i ekzekutivit evropian, Jean-Claude Juncker, i cili urdhëroi të premten vendosjen e flamujve në gjysmë shtizë në Bruksel, propozoi organizimin e një ceremonie të madhe evropiane për të përshëndetur kujtimin e tij.
Kjo do të jetë ceremonia e parë për të nderuar një prej tre personaliteteve të vetme që kanë marrë titullin qytetar nderi të Evropës, me francezin Jean Monnet dhe Jacques Delors.
“Përgatitjet po vazhdojnë, jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet gjermane dhe familjen e të ndjerit për organizimin e kësaj ceremonie”, deklaroi Mina Andreeva, zëdhënëse e Komisionit Evropian duke shtuar se asnjë datë nuk ishte vendosur ende.
Mes hipotezave që qarkullojnë bën pjesë ajo e një ceremonie të organizuar në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg.
Konsideruar si babai i ribashkimit gjerman 45 vjet pas Luftës së Dytë Botërore dhe si shtylla e ndërtimit evropian, Kohl vdiq sot në moshën 87-vjeçare.
Vdekja e mbajtësit të rekordit të jetëgjatësisë në kancelari (1982-1998) në Gjermaninë moderne ka ngjallur reagime në mbarë botën.
“Helmut Kohl ishte një evropian i madh dhe një mik i mirë”, reagoi Jean-Claude Juncker duke e cilësuar si mishërim të Evropës.