Të bërit biznes vjen me përgjegjësi sociale dhe ligjore. Shpesh mund të hasim korporata me përgjegjësi të lartë sociale dhe ato më pak të njohura për ne. Nuk është rastësi që të bërit biznes nënkupton disa privilegje, si lehtësime tatimore për produkte të veçanta, prioritete në eksport dhe import, por kjo vjen me përgjegjshmëri të caktuara për korporatat në fjalë.
Pra, biznesi është thelbësor për gjenerimin e të mirave materiale dhe krijimin e vendeve të punës, që nënkupton dhe prosperitetin ekonomik.
Shërbimet që ofrohen dhe produktet që serviren për tregun e gjerë, përveç përfitimeve që sjellin, duhet të krijojnë edhe një cilësi dhe garanci të tyre për konsumatorin. Thënë shkurt, duhet krijuar përgjegjshmëria sociale që duhet ta ketë çdo biznes.
Por çfarë ndodh kur bizneset sfidohen publikisht?
Javë më parë, disa mediume në Shqipëri raportuan për një rast ku dyshimet e para kishin të bënin me ‘tregtinë me mish të skaduar’.
U aludua se një biznes nga Kosova eksportonte mish të skaduar nga Brazili, të cilin pastaj e ripaketonte dhe e shiste si mish të freskët. Reagimet nga të dyjat palët ishin kontradiktore. U ngritën shumë hipoteza, por asnjëra prej tyre nuk u provua deri më sot, dhe shkresat e vetme zyrtare që kemi është ajo e lëshuar nga Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit në Shqipëri, i cili ka pezulluar përkohësisht dhe së fundmi rikthyer importin nga kompania në fjalë.
Në anën tjetër, Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë deklaron se ‘mishi i kompanisë kosovare i përmbush standardet e deklaruara, dhe origjina e mishit përkon me deklarimet e bëra nga kompania ‘Apetit’ Shpk, duke hedhur poshtë kështu aludimet për tregti jo etike.
Megjithatë, që nga data e raportimit kemi heshtje nga të dyja palët lidhur me atë që në fakt u pretendua më parë. Për më tepër, hamendësimi për padi mbi dëmtimin e imazhit nga kompania në fjalë mungon deri më sot, dhe kjo e bën këtë rast, si shumë raste të tjera, tejet të çuditshëm e që lë shumë për të dëshiruar, në aspektin e përgjegjësisë sociale.
Krejt e kundërta ndodh në vendet e zhvilluara demokratike, ku të pasurit e një sistemi të konsoliduar ligjor sjell rezultate konkrete, sic është edhe rasti i skandalit të njohur ‘diesel-gate’, i kompanisë me renome në treg VW.
Rasti I Volkswagen-it na shërben si një ekzemplar i asaj që mund ta quajmë edhe si dështim të ‘Përgjegjësive Sociale të Korporatave’, sepse pavarësisht se kompania gëzonte besimin e konsumatorit, brenda një periudhe të shkurtër kohore humbi prestigjin së bashku me besimin e konsumatorit. Por më e rëndësishmja, pa dyshim ishte goditja financiare.
Pas konfirmimit te skandalit ‘deisel-gate’ vlera e kompanisë pësoi rënie të madhe në tregjet ndërkombëtare, duke e bërë kështu Volkswagenin kompaninë me humbjen më të madhe të regjistruar ndonjëherë në industrinë automobilistike.
Por si ndodhi skandali ‘diesel-gate’?
Në shtator të vitit 2015, ‘Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit’ pas disa të dhënave paraprake filloi hetimin e zgjeruar mbi kompaninë Volkswagen në lidhje me dyshimin e instalimit të programit kompjuterik në makinat e tyre diesel, që u mundësonte automjeteve të tyre të mashtronin në testet e emetimeve të EPA-s.
Nga pretendimet se makinat e reja emetojnë më pak ndotje për ambientin se limitet e lejuara me ligj në SHBA, VW përfundon në anën e kundërt të të dhënave, pas rishqyrtimit paraprak nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit.
Në fakt, emetimet e oksidit të azotit (NOX) për veturat e VW-se ishin 40 herë më të larta se standardet e lejuara në SHBA. Kompania qëllimisht vendosi të mashtrojë duke vendosur një mjet për të anashkaluar kontrollin e emetimeve, me qëllim që t'i jepte kompanisë një avantazh të padrejtë ndaj konkurrentëve të saj, kjo për shkak se motorët e saj të supozuar ‘miqësorë me mjedisin’ realisht ishin krejt e kundërta.
Skandali që sot e njohim si "diesel-gate", rezultoi të jetë më i shtrenjti kur kemi të bëjmë me dështimet e përgjegjësive sociale të korporatave. Humbja e mbi 33 miliardë dollarëve, përfshirë këtu gjobat dhe dëmet, përveç humbjes së prestigjit dhe besimit të konsumatorëve, është i pa precedentë dhe jo rastësisht ky rast konsiderohet si dështimi më i madh në historinë e industrisë automobilistike.
Ndërkohë që çështja ‘diesel-gate’ mori epilogin e vet, rasti i tregtisë me mish dhe shumë rasteve të tjera të dyshimta të korporatave që funksionojnë në rajon do të futen në katalogun e harresës dhe do të mbeten më tepër si dekor arkivor se sa si një rast që duhet sqaruar, së paku për hir të konsumatorit dhe vetë imazhit të kompanisë, e cila pretendon se punon me ‘përgjegjësi të lartë shoqërore’.