Audio të transkriptuara të presidentit të Real Madridit, Florentino Perez po vazhdojnë të dalin në publik, ndërsa kësaj radhe në qendër ishte ish-mesfushori i tyre turko-gjerman, Mesut Ozil.
Mediat spanjolle kanë publikuar gjatë gjithë javës audio-incizime, ku Perez ndihej i pakënaqur me shumë ish-yje dhe yje të ekipit.
Fillimisht cak i sulmeve ishin dy legjendat, Iker Casillas dhe Raul Gonzalez, ndërsa më vonë dolën edhe fjalë për Cristiano Ronaldon dhe trajnerin Jose Mourinho.
Disa ditë më vonë dolën audio të transkriptuara edhe për Luis Figon dhe Gutin, ndërsa së fundmi në ‘radarin’ e Perezit ka përfunduar Ozil.
Perez nuk ishte i kënaqur aspak me stilin e jetës së mesfushorit kreativ, i cili udhëtonte shpesh në Milano te e dashura e tij, me të cilën e ndau Mourinho.
“Ozil erdhi këtu në moshën 21-vjeçare. Ai është turk i gjeneratës së tretë dhe pastaj, pasi zbuloi Madridin e la të dashurën turke”, citohet Perez nga Marca.
“Ai ndryshoi stilin e jetës, duke rënë në dashuri me një modele italiane nga Milano. Ai kishte një avion privat, kështu që fluturonte atje, të bënte seks dhe të kthehej”.
“Pastaj një ditë, ai e bezdisi Jose Mourinhon, i cili me shaka i tha: “Hej Ozil, idiot, më lër të të them diçka sikur të isha babai yt, sepse kjo vajzë me të cilën do të dalësh ka shkuar me të gjithë në Inter dhe Milan, përfshirë stafin e trajnerëve të të dy ekipeve”.
“Ozil përfundoi duke e lënë atë”, ishin fjalët presidentit të Real Madridit të transkriptuara nga Marca.
Modelja në fjalë duket të jetë Aida Yespica. Ajo mori pjesë në garën e bukurisë ‘Miss Venezuela’ në vitin 2002 dhe u transferua në Milano.
Gjatë kohës së Ozil në Real Madrid, shtypi spanjoll dhe britanik spekuluan se merrte vazhdimisht fluturime nga Madridi në Milano për ta parë atë.