Përkrahësja e ISIS-it kthehet në Gjermani

Prishtinë | 06 Pri 2019 | 08:10 | Nga Ekonomia Online

E para përkrahëse e të ashtuquajturit, Shteti Islamik kthehet nga Siria në Gjermani. Kjo përbën një sfidë për qeverinë gjermane. Sepse presioni për të ripranuar xhihadistë të tjerë është duke u shtuar.

Ditën e enjte ndodhi ajo që autoritetet gjermane e mendonin të pamundur: Një 31 vjeçare gjermane, përkrahëse e të ashtuquajturit Shtet Islamik (IS), së bashku me tre fëmijët u largua nga një kamp i milicëve kurdë YPG në veri të Sirisë dhe u dërgua në kufirin turk, ku u mor në dorëzim nga autoritetet turke. Ata e dërguan atë në qytetin Gaziantep, qytet turk me dy milionë banorë.

Prej andej ajo ka fluturuar për në Gjermani, me siguri me linjën ajrore turko-gjermane Sun-Express, avioni i së cilës zbriti në orën 20:00 në Shtutgard. Atje, gruaja u prit nga policët gjermanë që kishin në dorë një urdhër arresti. Akuza: Sipas nenit 129 A dhe B, anëtarësim dhe përkrahje e një grupimi të huaj terrorist.

Prej javësh është duke u diskutuar për kthimin në Gjermani të xhihadistëve gjermanë dhe familjeve të tyre. Diskutimi është bërë edhe më i zjarrtë, që kur u mor edhe kështjella e fundit e terroristëve në Baghus, në Sirinë Lindore. Në kampet e vetëadministrimit kurd në Sirinë Veriore është rritur shumë numri i luftëtarëve të huaj të IS dhe grave e fëmijëve të tyre. Kurdët janë lodhur nga ngarkesa për përkujdesjen dhe kontrollin e këtyre njerëzve. Mes mijëra të huajve që ndodhen në kampe ka edhe qindra gjermanë, mes tyre edhe fëmijë.

Kurdët kërkojnë pranimin e tyre

Kërkesat e përsëritura të kurdëve ndaj vendeve të origjinës, që ata të ripranojnë qytetarët e tyre janë injoruar deri tani. Ministria e Jashtme në Berlin ka përmendur arsye formale për rikthimin e tyre. Në një përgjigje të dhënë me shkrim për pyetjen e Deutsche Welles, Ministria e Jashtme shkruante në muajin shkurt: “Mbas mbylljes së ambasadës gjermane në Damask është e pamundur të bëhen shërbimet konsullare në Siri”. Dhe me rajonin autonom kurd nuk ekzistojnë kontaktet zyrtare. Në përgjigje thuhet më tej, se qeveria gjermane është duke parë opcionet e mundshme, “për tu mundësuar qytetarëve gjermanë largimin nga Siria, sidomos për rastet humanitare”.

A do kthehet rasti në precedencë?

Pikërisht kjo duket se ka ndodhur. Mahmut Erdem, avokati i të kthyerës nga Siria Veriore thotë në një bisedë me Deutsche Wellen: “Ky rast tregon se ekziston mundësia e vendosjes së kontaktit me Ushtrinë e Lirë Siriane, me YPG kurde. Dhe kështu mund të tërhiqen nga kampet idhtarët gjermanë të IS.”

Avokati thotë se ka punuar pesë muaj me radhë për kthimin në Gjermani të gruas dhe tre fëmijëve. Më në fund Ministria e Jashtme gjermane bisedoi me autoritetet turke dhe me autoritetet rajonale kurde dhe organizoi dorëzimin e gruas në kufi.

Me kthimin e parë rritet presioni për ripranimin në Gjermani të xhihadistëve të tjerë dhe familjeve të tyre. Pak para zgjedhjeve europiane dhe zgjedhjeve në katër lande gjermane, kjo është një gjë me të cilën asnjë politikan apo parti nuk do që të ketë të bëjë. Autoritetet e sigurisë i vlerësojnë si të rrezikshëm 19 anëtarë të IS që ndodhen të burgosur nga kurdët. Kundër 21 vetëve ka urdhërarrest, raporton DW.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme