Analistja Luljeta Aliu, e njohur si përkrahëse e parezervë e Vetëvendosjes, ka komentuar vendimin për rritjen e faturave të energjisë elektrike, duke kërkuar sqarime nga KEDS për mos inkasimin e energjisë në veri të vendit.
Aliu thotë se KEDS, si kompani private, duhet t’i zgjidh vet problemet me konsumatorët në veri e jo ta përdorë si arsyetim për rritjen e tarifave të energjisë.
“Pse nuk po e bën KEDS-i inkasimin e rrymës në Veri? Rrjetin e energjetikës kur e kanë blerë me vetëm 26 milionë, e kanë pasur të qartë çfarë situate politike ekziston në Kosovë. Pse nuk jau ndalin rrymën atyre që nuk paguajnë në Veri, por ankohen se kanë humbje? Mos të ankohen se po ka rezistencë nga qytetarët serbë, se nuk është problem i yni ai. Kompani private janë. Neve nuk po e kanë problem me na e ndalë rrymën”, ka shkruar ajo.
“Fundja është kompani private, dhe nëse nuk mund ta bëjë inkasimin, është problem i tyre. Le të bankrotojnë. Shumë më mirë do të ishte të bankrotojë KEDS-i dhe të kemi një kompani vendore të distribucionit”, tha ajo tutje.
Më tej, Aliu ka kërkuar nga qeveria që të mbrohet sovraniteti i Kosovës nga tendenca e Serbisë për të integruar një operator energjetik të tyre në veri të vendit.
Nëse KEDS-it nuk i lejohet ta ndalë rrymën në Veri për ato amvisëri që nuk paguajnë, qytetarët duhet ta dijnë arsyen. Tregoni pse nuk po e ndalni rrymën në Veri? Pse ne duhet të paguajmë, e ata jo. Sepse Serbia do të futej me operator të vetin? Epo këtu duhet të përballeni me Serbinë, të mos e lejoni shkeljen e sovranitetit as në këtë rast”, shkroi ajo.
Tutje, ajo ka kritikuar Qeverinë duke thënë se “nuk është zgjidhje të ngritën çmimet e rrymës këndej, në anën tjetër të subvencionohet një kompani private me para nga KOSTT-i, para që do të futeshin në buxhetin e Kosovës përndryshe”, tha ndër të tjera ajo. “Ne po paguajmë edhe rrymën, edhe po e mbajmë gjallë KEDS-in me subvencionet me para tonat. Dy herë po paguajmë nga xhepat e varfër të kosovarëve”.
“Le ta thejnë qafen KEDS me gjithë KESCO!”, përfundoi shkrimin e saj Aliu.
Analistja Aliu njihet për përkrahjen publike të Vetëvendosjes. Por, së fundi, ajo nuk është votuar nga Kuvendi i Kosovës, ku shumicë është VV-ja, për anëtare të Komisionit të Pavarur për Medie dhe kjo mund të jetë arsyeja pse ka ndërruar kurs.