Në vazhdën e fuqizimit ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes avancimit të bashkëpunimit rajonal, kryetarët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë, vizituan homologët përkatës në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi, për të vazhduar javëve në vijim në Kroaci dhe Slloveni.
Temë kryesore e takimeve të kryetarëve të Odave – anëtare të Forumit Investiv të Odave (CIF), iniciativës rajonale për nxitje të investimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor, ishte vazhdimi i aktiviteteve të përbashkëta për përmirësimin e mjedisit biznesor, fuqizimi i rolit aktiv të komunitetit të biznesit në “Procesin e Berlinit”, me qëllim të rritjes së prosperitetit të rajonit.
Kryetarët e Odave Ekonomike, të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi u pajtuan për lobim të përbashkët të autoritetet e Bosnjës, për të siguruar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, si një ndër pengesat e fundit në sigurimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe personave në rajon.
Pjesë e rëndësishme e agjendës rajonale të kryetarëve të odave ekonomike, ishin edhe takimet me kryeministrin Thaçi në Kosovë, presidentin Ivanov në Maqedoni, kryeministrin Rama në Shqipëri dhe kryeministrin Gjukanoviq, të cilëve ju prezantua platforma e bashkëpunimit në mes odave ekonomike, si çelës i rritjes së bashkëpunimit tregtar dhe rritjes së investimeve në rajon.
Në anën tjetër të gjithë liderët institucionalë, shprehen përkrahje të fuqishme për aktivitetin e odave, duke ofruar bashkëpunim konkret në të gjitha agjendat e odave ekonomike që kanë si qëllim rritjen ekonomike dhe uljen e papunësisë që mbetet armiku kryesor i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.