Në fshatin Shqiponjë të Gjakovës janë përkujtuar 33 dëshmorët e rënë për liri. Në tubim merrnin pjesë dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës në largim, Kadri Veseli; lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj; kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila; familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të tjerë.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në fjalën e tij, tha se gjatë viteve 1990-të, Shqiponja (Jabllanica) ka qenë “çerdhe e shqiponjave”.
“Jemi në një vend që gjatë viteve 90-ta ka qenë çerdhe e shqiponjave. Ndihem i nderuar të jem në një vend, i cili gjatë viteve 90-ta kur terrori serb ka qenë i tmerrshëm për të gjitha familjet tona, në këtë vend në këtë fshat asnjëherë nuk ka mundur të futet. Gjithë luftëtarët e UÇK-së anekënd Kosovës kanë lëvizur pikërisht në këtë fshat. Prekazi dhe Shqiponja kanë qenë dy çerdhe të lirisë të cilat kanë qenë fidanishte të para që e kanë sjellë lirinë në qershorin e vitit 1999”, ka thënë Veseli.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se rruga e lirisë nuk ka qenë e lehtë. “Në disa vende kjo rrugë ka lënë gjurmë, shenja nga ata që janë gjallë dhe nga ata që ranë dëshmorë e heronj, që kushdo që i ka njohur krenohet me ta”, tha ai.
“Ka qenë kohë e vështirë e mundimshme, mirëpo siç thuhet në popull me ndihmën e Zotit të miqve, aleatëve tanë NATO-s të udhëhequr nga Amerika e përmbyllëm…”, tha Haradinaj.
Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se “zëri betejave që jehoi nga këtu ishte zëri që thirri edhe pjesën e qytetëruar të botës, e cila me gjykimin e saj të drejtë u bë mbështetëse e aspiratave të drejta, të merituara që kishim si popull”.