Sot shënohen 16 vjet nga vdekja tragjike e 42 ushtarëve sllovakë, të cilët humbën jetën derisa po ktheheshin në Sllovaki nga misioni paqeruajtës i KFOR-it në Kosovë.
Ndërkaq, sot në Prishtinë, si çdo vit tjetër, u mbajt ceremoni përkujtimore në shtabin e KFOR-it në Parkun e Qytetit në Prishtinë dhe në ish-vendin e tyre të detyrës, në bazën e KFOR-it në Shajkovc.
“19 janari mbetet një ditë e zezë në historinë moderne të Forcave të Armatosura Sllovake. Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, në orët e mbrëmjes, një avion ushtarak An-24 i Forcave Ajrore Sllovake u rrëzua në Borsó-Hill mbi Hejce (Hungari), në afërsi të Aeroportit Kosice (Sllovaki) rreth 30 kilometra nga pista. Dyzet e dy ushtarë të kthyer në shtëpi nga misioni paqeruajtës i KFOR-it në Kosovë humbën jetën në fatkeqësi. Vetëm një ka mbijetuar”, ka shkruar në Facebook Zyra Ndërlidhëse Sllovake në Prishtinë.
“Falënderojmë komandantin e KFOR-it, z. Ferenc Kajari, ambasadorin e Hungarisë, z. József Bencze, dhe të gjithë vëllezërit që e bënë ceremoninë e përkujtimit vërtet të nderuar. U prehshin në paqe!”, thuhet tutje në shkrimin e Zyrës Ndërlidhëse Sllovake në Prishtinë.