Me rastin e 37-vjetorit të rënies në ballë të demonstratave të vitit 1981, të dëshmorëve Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, janë mbajtur homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tyre.
Mehmet Hajrizi, familjar i Naser Hajrizit tha se ai dhe Asllani kishin qenë dy dëshmorët e parë të rëne të vitit 1981, gjatë demonstratave të 2 dhe 3 prillit ai tha se ishin vrarë gjithësie 8 dëshmorë, raporton Ekonomia Online.
“Një amanet i dëshmorit nuk vdes kurrë dhe çdo kohë i përgjigjet ai amanet, thërret zëri i dëshmorit përsëri që të bëhet edhe më shumë”, tha Mehmet Hajrizi.
“Para një viti dha statusi i dëshmorit dhe tani duhet të zhvendosen nga varrezat e qytetit dhe të zhvendosen tek varrezat e dëshmorëve, por kjo është detyrë e institucioneve dhe jemi në pritje”, shtoi Mehmet Hajrizi.
Ndërsa, Jahir Hajrizi, gjithashtu prestar i familjes së Hajrizi tha se dy dëshmorët iu kanë dalë ballë demonstratave dhe janë qëlluar më 2 prill të 1981 pikërisht nga qeveria e Jugosllavisë që në atë kohë ishin të vendosur tek qeveria e tanishme.
“Ata u qëlluan nga snajperët Jugosllavëve në kokë. Ngjarjet e tilla mos t’i harrojmë e t’i përkujtojmë, ndërsa nga grupet e ndryshme të mos keqpërdoren”, tha Hajrizi.
Demonstratat e “Pranverës së Madhe” të vitit 1981 u nisën më 11 mars nga mensa e studentëve, duke u masivizuar më pas në demonstrata gjithpopullore në gjithë Kosovën, me kërkesa të qarta politike, ekonomike e sociale.