Përkujtohen dëshmorët e Komunës së Lipjanit, Ahmeti: Dhanë gjithçka për lirinë

Prishtinë | 14 Qer 2025 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Në Komunën e Lipjanit, më 14 qershor, u përkujtuan dëshmorët që ranë në luftën e fundit për lirinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në këtë ditë të veçantë, e cila njihet si Dita e të Rënëve të kësaj komune, kryetari Imri Ahmeti theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe sakrificës së dëshmorëve për lirinë që gëzojmë sot.

Ahmeti tha se liria nuk ka ardhur vetë, por është paguar me gjak dhe dhimbje, dhe se gjaku i dëshmorëve është bërë pjesë e identitetit tonë të lirë.

“Sot nuk jemi mbledhur këtu për një ceremoni të zakonshme. Sot jemi mbledhur për të nderuar jetën dhe gjakun që u dha për lirinë tonë. Jemi këtu për t’i kujtuar e për t’i nderuar bijtë dhe bijat e kësaj toke – ata që nuk kursyen asgjë, që sakrifikuan gjithçka, që u flijuan për idealin më të lartë njerëzor: lirinë. Ata nuk e deshën luftën, por nuk pranuan robërinë. Nuk kërkuan asgjë për vete, por dhanë gjithçka për lirinë dhe largimin e pushtuesve nga trojet tona. Ajo nuk ka ardhur vetë, as nuk ka rënë nga qielli. Liria është paguar me gjak, me plagë, me dhimbje që ende nuk janë shëruar. Është themelet e kësaj Republike, është fryma që ne marrim sot të lirë në vendin tonë. Gjaku i dëshmorëve është shndërruar në alfabetin e lirisë sonë. Ai flet në çdo rrugë ku ecim, në çdo shkollë ku mësojnë fëmijët tanë, në çdo fjalë shqipe që sot e themi pa frikë. Ne nuk kemi të drejtë ta harrojmë të kaluarën tonë, përpjekjet shekullore të brezave për çlirim, deri te lufta e UÇK-së. Nuk duhet as të heshtim kur dikush përpiqet ta përdhosë atë. Ata nuk flijuan jetën që liria të shndërrohet në marketing elektoral”, deklaroi Ahmeti.

Ai shtoi se nuk duhet lejuar që kjo sakrificë të përdhoset apo të përdoret për përfitime politike, por të shërbejë si udhërrëfyes për ndërtimin e një shteti me arsim e shëndetësi cilësore dhe ekonomi që i mban të rinjtë në vend.

“Vendi ynë ka nevojë për shërbyes publikë të përkushtuar, që me ndershmëri e dinjitet mbrojnë idealin për të cilin u dha jeta. Ne kemi një borxh që nuk shlyhet me fjalë. Ky borxh shlyhet me shtet që funksionon, me arsim cilësor, me shëndetësi dinjitoze, me ekonomi që i mban të rinjtë këtu, e jo të marrin rrugën e migrimit. Sot, kur e gjithë bota ecën përpara, Kosova nuk mund të mbetet peng i konflikteve të brendshme dhe interesave të ngushta. Na duhet bashkëpunim, jo përçarje. Na duhet zhvillim, jo izolim. Na duhet drejtim me vizion, jo udhëheqje me inat. Komuna e Lipjanit është dhe do të mbetet e përkushtuar për ruajtjen e kujtesës sonë historike.”, shtoi ai.

Përfaqësuesi i tri shoqatave të dala nga lufta, Muhamet Bilalli, theksoi se çdo 14 qershor sjell kujtime të forta për dëshmorët e rënë për liri. “Ata nuk kanë ditë vdekjeje, por ditë rënieje – nuk plaken kurrë.

“Sa herë vjen 14 qershori vij me kujtime për të rënit tanë kudo, sa herë kujtojmë i kujtojmë dëshmorët e rënë të kësaj ane qe kanë renë për liri. Ata nuk kanë dite vdekje por ditë rënie ata kurrë nuk plaken. Edhe sot kur i kujtojmë dhe i ndërrojmë na duhet që muaji qershor na kanë marrë diçka na jeta jonë. Ata që kanë rënë na kanë dhënë liri që janë sakrifikuar breza të tërë. Përkujtojmë të rënët e dëshmorëve të kombit në mënyre që të mos harrohet gjaku i derdhur për liri por edhe duhet të punojmë deri në vdekje për ta quar në vend amanetin e tyre. Askush nuk ta dhuron lirinë por e sjellin vetëm ata që janë të gatshëm te marrin armët në duar dhe të gatshëm ta japin jetën për lirinë”, theksoi Bilalli.

Në emër të familjeve të dëshmorëve, Merita Zeqiri kujtoi se kjo ditë është njëkohësisht e dhimbshme dhe krenare. “Dëshmorët kishin ëndrra si të gjithë ne, por ëndrrën më të madhe – lirinë – e paguan me jetë.
“Kujtimi për dëshmorët është gjithmonë i freskët dhe i pranishëm në çdo moment. Kujtojmë atë ditë aq të dhimbshme aq krenare dhe të lavdishme të gjithë dëshmorët kanë dashur familjet e tyre edhe ata kishin ëndrra e tyre por ëndrrën më të madhe për lirinë falen gjakun. Vërtetë liria është e shtrenjtë paguhen me jetë e me gjak, ata me flijimin e jetës së tyre e kanë kryer detyrën për atdheun dhe popullin. Sa herë të kujtojmë dëshmorët forcojmë besimin dhe për të punuar me ndershmëri vendin tonë”,

Të ngjashme