U mbajt akademi përkujtimore për të kujtuar veprën dhe jetën e dëshmorit të rënë në luftën e fundit, Agim Bajramit.
Aty për Agim Bajramin u tha se ishte një njeri që e ndiente si obligim ardhjen e lirisë.
Besim Ilazi, kryetar i Komunës së Kaçanikut, tha se Agim Bajrami rrezatonte dashuri të madhe për atdheun.
“Po takohemi sot për të përkujtuar figurën emblematike të Kosovës gjeneral Agim Bajramin, të cilin po e përkujtojmë sot përmes dokumentarit. Qyteti i Kaçanikut ka lindur dhe ka rritur shumë heronj. Të nderuar qytetarë jam me fat që kisha rastin ta takoj Agimin. Ai rrezatonte dashuri të madhe për atdheun. Liria erdhi por Agimi nuk mundi ta jetonte lirinë. Dëshmorët janë dëshmuar para shtetit tonë tashmë neve na mbetet ti dërgojmë idealet dhe amanetet e dëshmorëve deri në fund”, ka thënë Ilazi.
Gjenerali i ushtrisë së Shqipërisë, Kudusi Lame tha se kjo ditë e sjell popullin e saj më afër periudhës së famshme shqiptare të luftës.
“Sot është një ditë domethënëse sepse na sjell më afër periudhës së famshme shqiptare. Dëshmorët janë pishtarë të sigurt që na tregojnë të ardhmen e vendit. Një popull i robëruar nuk mund të hecë kurrë në rrugëtimin e së drejtës. Agim Bajrami e donte më së shumti lirinë e trojeve. Agim bajrami me gjithë dëshmorët e tjerë dhanë karrigen më të bukur për ata që qeverisën vendit pas luftës. Jeni të sigurt se Agim Bajrami dhe dëshmorët e tjerë e kanë parë Kosovën e lirë dhe të begatshme me imagjinatën e tyre. Është me vend ti qëndrojmë afër dëshmorëve tanë por edhe veteranëve sepse mund të kemi nevojë për ta”, ka thënë Lame.
I pranishëm ishte edhe ish kryetari i Lipjanit, Shukri Buja i cili rikujtoi kohën e tij të kaluar me dëshmorin Agim Bajramin.
“Për Agimin e lirisë i cili luftën për liri e konceptoj si obligim ndaj kombit, sot do shfaqet filmi dokumentar për të. E njoha mirë Agimin dhe veprimtarinë e tij, bashkëvepruam bashkë me të burgun e Gjurakovcit. Bashkë ishim në veprimtari politike jashtë vendit por nuk ramë për liri bashkë. Po iu them se nuk është thënë e gjitha për Agim Bajramin duhet edhe shumë punë ta përshkruajmë figurën e tij”, tha Buja.
Nga Maqedonia për ta përkujtuar veprën e dëshmorit Agim Bajramit kishte ardh edhe zv. kryeministri i Maqedonisë, Hazbi Lika.
“Është e vështirë të flasësh pas 20 vjetëve për të bëmat e këtij dëshmori. Nëse do ktheheshim para 20 vitesh, kam pasur vështirë t’u tregoj fëmijëve të mijë për luftën e Kosovës. E potencova këtë fakt duke potencuar secili prej nesh të bisedoj me gjeneratat e reja që tu tregojmë atyre për të kaluarën tonë. Ndihem krenar që sot po marr pjesë në këtë ditë të madhe përkujtimore”, tha zv. kryeministri Lika.
Në fund para të pranishmëve u shfaq edhe dokumentari i punuar nga Nysret Pllana, kushtuar jetës dhe veprës së dëshmorit Agim Bajrami.