Në përmbyllje të “Ditëve të Shqipes” kushtuar Betejës së Koshares, është mbajtur akademi përkujtimore në ditën e rënies së heroit Xhemajl Fetahaj.
Kryeministri Ramush Haradinaj, në patronazhin e të cilët u mbajt ky manifestim, tha se Agim Ramadani, Sali Çekaj e Xhemajl Fetahaj janë tre emra që bëjnë historinë tonë në mënyrën e vet.
“Vijnë nga drejtime që i ka nxjerrë jeta dhe bashkohen në një qëllim, në një vend, në një betejë, në një epope që e bënë historinë e kombit të tyre. Bashkohen në Koshare dhe aty që të tre flijohen për lirinë e atdheut të vet. Kemi shumë njerëz që janë flijuar për atdhe, por “Epopeja e Koshares”, dhe këta tre burra i japin një pamje të atdheut të tyre në mënyrën e vet, që të tre secili veç e veç”, theksoi se Haradinaj.
Duke folur për luftën e lavdishme të Xhemajl Fetahaj dhe të komandantëve të tjerë, kryeministri Haradinaj tha se të gjithë dëshmorët e Koshares, bijë dhe bija të këtij vendi, por edhe të popujve tjerë, ua rritën namin dhe dimensionin e flijimit komandantëve të tyre.
“Kam pasur rastin të jem një kohë bashkëluftëtar me Xhemajl Fetahaj. I kam njohur familjarët e tij, njerëzit rreth tij, dhe nuk kam asnjë dilemë se ai nuk ka qenë i denjë të jetë në krahë me Agimin e Salihun. Ai i ka përmbushur parametrat e një luftëtari shqiptar, një komandanti të luftës tonë, një patrioti që në momentet vendimtare është aty ku duhet”, tha kryeministri Haradinaj.
Para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se duke respektuar shembullin e të rënëve, rruga e atdheut tonë, e ardhmja e popullit tonë do të jetë e ndritur.
“Ne kemi vetëm një të ardhme, që të jetojmë të lirë, një të ardhme që të jetojmë në demokraci. Dhe ne i takojmë vetëm një familje, asaj perëndimore, euroatlantike, pra anëtarë i BE-së dhe i NATO-s dhe kemi vetëm një perspektivë në botë, t’i qëndrojmë besnik atyre që ishin besnik me ne në kohërat më të vështira të rrezikut tonë, Amerikës”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se këto fjalë e kanë vendin pikërisht këtu sot kur i përkujtojmë njerëzit më të zot të atdheut tonë që kanë rënë për liri.
Kryeministri Haradinaj, tha se duke u shërbyer me shembullin e flijimit ne mund ta garantojmë të drejtën tonë që të jetojmë të lirë, në demokraci, të bëhemi pjesë e familjes së popujve të lirë euroatlantik dhe ta forcojmë miqësinë me Amerikën.
“Unë e kam për nder që si një prej bashkëluftëtarëve mund ta nderoj këtë rrugë dhe ju ftojë të gjithëve që të mos i ndahemi kësaj rruge”, tha kryeministri Haradinaj.
Në këtë akademi, në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, foli Xhafer Gashi, aktualisht kryetar i Komunës së Obiliqit. Ai tha se lufta për Fetahajn nuk ka qenë rrezik, por nder i thirrjes ndaj atdheut i cili i ishte përgjigjur që në rininë e tij, raporton EO.
“Secili luftëtar, dëshmor në Koshare ka pasur vullnet për të bërë një rrugë të gjatë dhe kanë kaluar edhe oqeane për të arritur në këtë fushëbetejë. Asnjë prej nesh nuk ka qenë rastësi që kemi qenë për të bashkuar gurët për të bërë kalanë që të mos rrëzohet dhe të qëndrojë pas nesh”, tha Gashi.
Ndërsa në emër të familjes të pranishmit i përshëndeti, Erëza Fetahaj, bija e heroit Xhemajl Fetahaj. Ajo tha se sa herë që e kërkon atdheu, do ta ndjekin shembullin e babait të saj, do të sakrifikojnë edhe jetën për t’i qëndruar besnik atdheut.