Po zhvillohet procesi gjyqësor për rrahjen e vitit të kaluar në Sllatinë të Podujevës që përfundoi me vrasje. Në gjykimin për vrasjen e Sabit Latifit, u veçua procedura ndaj një të akuzuari.
Esat Islami, i akuzuari për sulm në gjykimin për rrahjen që çoi në vrasjen e Sabit Latifit, nuk u paraqit në gjykatë, ndërsa kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj- Hyseni tregoi se nga stacioni policor në Podujevë i është konfirmuar se nga dhjetori i vitit të kaluar Esat Islami ndodhet në Gjermani.
Pas këtij njoftimi të kryetares, prokurori Ibrahim Berisha kërkoi që të ndahet procedura ndaj Esat Islamit, ndërsa trupi gjykues më pas e aprovoi propozimin e prokurorit.
Sipas aktakuzës, rrahja mes Elfad, Xhevat e Esat Islamit dhe Advan, Rushit e Luan Latifit ndodhi në qershor të vitit të kaluar për disa trungje shelgjesh të hequra nga shtrati i lumit me qëllim që të rregullohet rruga mes lagjeve Latifi e Islami të këtij fshati.
Në aktakuzë tregohet se derisa Advan Latifi ishte duke vozitur traktorin me rimorkio të mbushur me trungje shelgjesh, atij i del përpara me traktorin e tij i akuzuari tjetër Elfad Islami duke ia bllokuar rrugën.
Latifi, siç thuhet në aktakuzë nuk mund të ndalet, ndërsa e godet traktorin me të cilin Islami ia kishte zënë rrugën.
Pastaj në aktakuzë përshkruhet përleshja mes Advan Latifit e Elfad Islamit nga e cila të dy lëndohen. Latifi e ther me thikë Islamin disa herë, ndërsa Islami arrin t’ia marrë thikën, ndërsa e qëllon me dru në kokë.
Më pas, sipas aktakuzës, në përleshje ishin përfshirë edhe Xhevat Islami, Rushit Latifi dhe tash i ndjeri Sabit Latifi.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari për vrasje të rëndë në këtë proces gjyqësor Elfad Islami pastaj e kishte sulmuar Sabit Latifin me thikën që ia mori Advan Latifit, duke i shkaktuar plagë që Sabit Latifi nuk mundi t’i përballonte.
Sabit Latifi vdiq në natën e përleshjes në QKUK, ndërsa Elfad Islami akuzohet se me të njëjtën thikë i shkaktoi lëndime edhe Rushit Latifit.
Në aktakuzë më tutje sqarohet se përleshja nuk përfundoi me kaq, pasi kur Elfad e Xhevat Islami u kthyen në oborrin e shtëpisë së tyre, aty arritën me shkopinj në dorë Advan, Luan e Behar Latifi dhe rrahja mes tyre vazhdoi, ndërsa lëndime pësuan të gjithë të përfshirët, deri në momentin kur anëtarë tjerë të familjeve Latifi e Islami ndërhynë për t’i ndarë.
Në ndërkohë, sipas aktakuzës,Esat Islami akuzohet se pasi ishte njoftuar nga familjarët për përleshjen, duke udhëtuar drejt fshatit Sllatinë të Podujevës, ndalet në Bajqinë të kësaj komune me ta vërejtur automjetin e ndihmës së parë.
Islami kur e sheh se në këtë automjet po vendosej për të marrë trajtimin mjekësor i lënduari Sabit Latifi, sulmon Behar e Luan Latifin, personat që po e bartnin të lënduarin që më pas vdiq.
Në seancë, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, ndërsa avokatët e tyre kërkuan lirimin nga paraburgimi dhe arresti shtëpiak.
Naim Rudari, avokati i Advan Latifit duke u ankuar se klienti i tij akuzohet vetëm për pjesëmarrje në rrahje, ndërsa tregoi se ndodhet në paraburgim që 11 muaj, tha se është ankuar në Gjykatën e Apelit për zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj-Hyseni tha se do të vendosë rreth kërkesave të mbrojtjes për ndërprerjen e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, pasi lënda të kthehet nga Gjykata e Apelit.
Seanca e radhës është caktuar më 13 qershor ndërsa në të pritet të vendoset rreth kërkesave të mbrojtjes për heqjen e masave të sigurisë për të akuzuarit.