Përleshje mes nxënëseve në tualetin e shkollës së muzikës në Prishtinë, njëra nxjerr thikën

Prishtinë | 20 Dhj 2021 | 19:58 | Nga Ekonomia Online

Përleshjet në institucionet arsimore në Kosovë nuk janë të rralla. Në shumicën e rasteve janë të përfshirë nxënësit, të cilët rrahen në hapësirat e shkollave.

Një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë, para dy ditësh.

Si ndodhi ngjarja?

Burimet e Sinjalit brenda shkollës kanë bërë të ditur se fillimisht dy 15-vjeçare u fjalosën mes vete në tualetin e shkollës. Pas zënkës që vajzat patën mes vete, njëra prej tyre dyshohet se e ka sulmuar tjetrën me shuplakë.

Në ato momente në tualetin ku ndodhi ngjarja, kishte hyrë një vajzë tjetër, për të cilën viktima, e cila u sulmua mendoi se ishte shoqja e nxënëses që e goditi.

Për ta frikësuar nxënësen që hyri në tualet, vajza që u sulmua kishte nxjerrë një thikë nga xhepi.

Rastin në Polici e ka denoncuar drejtoresha e shkollës.

Policia pasi ka dalë në vendin e ngjarjes ka konfiskuar thikën që ia ka gjetur nxënëses, ndërsa sot e njëjta është intervistuar në Polici dhe ndaj saj është hapur rasti “Armëmbajtje pa leje”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme