Përmbytjet në Indi, çifti i sapomartuar largohen nga dasma me tenxhere

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 20:31 | Nga Ekonomia Online

Imazhet e një çifti të ulur në një tenxhere të madhe gatimi duke notuar nëpër rrugët e përmbytura në dasmën e tyre në Indinë jugore i kanë dhënë një moment ngushëllimi rajonit të shkatërruar nga shirat e dendur.

Akash dhe Aishwarya ishin të vendosur të mos humbnin ditën e tyre të dasmës në fshatin e tyre Thalavady në shtetin Kerala.

Fotografitë e çiftit, të dy punonjës të kujdesit shëndetësor, në varkën e tyre të improvizuar më vonë u shpërndanë gjerësisht në mediet sociale.

Reshjet e dendura të shiut në Kerala kanë shkaktuar përmbytje serioze dhe rrëshqitje të tokës.

Lumenjtë kanë vërshuar nëpër rrugë ndërsa energjia elektrike është ndërprerë në disa fshatra.

Vendi i dasmës së Akash dhe Aishwarya, një tempull i vogël në Thalavady, gjithashtu u përmbyt pjesërisht.

Çifti huazoi tenxheren prej alumini nga një tempull tjetër dhe kërkuan që t’i ndihmonin burrat e fshatit duke i tërhequr nëpër rrugë.

“Është kthyer në një dasmë të cilën ne kurrë nuk e kishim imagjinuar,” tha nusja, Aishwarya, për kanalin lokal të lajmeve Asianet.

Të sapomartuarit thanë se kishin planifikuar fillimisht një ngjarje të vogël me një numër të kufizuar të anëtarëve të familjes, por interesimi pasi imazhet u postuan në internet i bëri ata të ndiheshin sikur të kishin ndarë ditën e tyre të veçantë me shumë të tjerë.

Akash tha se dyshja kishin prenotuar datën e tyre të dasmës pak kohë më parë dhe nuk donin ta shtynin atë pasi nuk e dinin kur do të ishin në gjendje të bënin sërish ceremoninë. Ai shtoi se tenxhereja e gatimit ishte “opsioni i vetëm” i disponueshëm.

Të ngjashme