Në Gjenevë, sallonet e bukurisë, floktoret dhe praktikat e fizioterapisë mund të rihapen, duke filluar nga e shtuna, 21 nëntor.
Qeveria e kantonit të Gjenevës e ka bërë këtë njoftim, shkruan srf.ch.
“Situata po përmirësohet. Por në mënyrë që të mos prishim atë që kemi arritur në javët e fundit, ne po ecim përpara, gradualisht”, ka thënë këshilltari i Shtetit, Mauro Poggia sot për mediat.
Trajnerët sportivë përsëri do të kenë mundësi të stërvisin grupe deri në katër persona.
Por, qendrat e fitnesit qëndrojnë të mbyllura përveç për aktivitetet e dakorduara më parë.
Zbutja shumë e shpejtë e masave, do të përbënte një rrezik serioz. Sistemi shëndetësor i Gjenevës vazhdon të jetë nën presion të fortë. Dje të martën, janë shtruar në spitale 606 pacientë me Covid-19, 80 prej tyre në njësi të kujdesit intensiv dhe të ndërmjetëm.
Lehtësimi vjen gjithashtu për të parandaluar që qytetarët e Gjenevës të kalojnë në kantonin Vaud, për t`u ikur kufizimeve që kanë në kantonine tyre, përcjell albinfo.ch. “Nuk është e pranueshme që gjenevasit të shkojnë e të bëjnë në kantonin Vaud ato që janë të ndaluara këtu” është shprehur Poggia.
Qëllimi i Këshillit të Shtetit (qeverisë kantonale)është t’u japë pronarëve të dyqaneve dhe restorantëve mundësinë për t’u hapur para Krishtlindjeve.