Mbrojtja e të dhënave është çështje e lidhur drejtpërdrejt me besimin. Kur individi ka frikë që të tjerët nuk do t’ia respektojnë privatësinë apo nuk do të mund t’ia garantojnë sigurinë e të dhënave të tij, ai humbë besimin dhe nuk do që t’i ndajë të dhënat me të tjerët. Andaj, besimi është burimi kryesor i ekonomisë dixhitale, të cilin mund ta ndërtojë autoriteti i mandatuar me ligj që të mbikëqyrë përpunimin e të dhënave të qytetarëve tanë.
Në anën tjetër, e drejta për t’u informuar apo e drejta për qasje në dokumente publike, deri sot është monitoruar nga një zyrë koordinuese pa mekanizëm konkret detyrues ndaj institucioneve publike, gjersa Institucioni i Avokatit të Popullit ka shërbyer si instancë e dytë, gjithashtu pa pasur mandat ekzekutiv për ta fuqizuar jetësimin e kësaj të drejte.
Ligji i ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka hapur rrugë për një qasje dhe mendësi të re të menaxhimit të këtij institucioni, duke i dhënë autorizimet vendimmarrëse e menaxhuese një individi. Për më tepër,AIP-së tashmë i është dhënë mekanizmi konkret i ndëshkimit të shkelësve të ligjit, i cili do të aplikohet përmes shqiptimit të gjobave në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo e fuqizon shumë ndikimin e autoritetit të pavarur dhe rritë efikasitetin e zbatimit të ligjit në praktikë.
Shtimi i pritur i numrit të burimeve njerëzoredëshmon përkushtimin për ngritjen e kapaciteteve të brendshme të AIP-së për të mbikëqyrur zbatimin e të dy ligjeve përkatëse nga sektori publik dhe ai privat. Ky numër është paraparë të shtohet gradualisht çdo vit dhe mund të arrijë trefishin ekzistues deri në fund të mandatit të parë të Komisionerit.
Vizioni për fuqizimin e institucionit dhe rritjen e besueshmërisë së performancës së tij, në publik,mes tjerash, është që të aplikohen kritere të rrepta në rekrutimin e stafit, duke u dhënë përparësi profileve të teknologjisë informative e të juridikut, me theks të veçantë në kuadër të gjinisë femërore, duke mos i lënë hapësirë nepotizmit dhe punësimit pa kritere, sepse burimet njerëzore adekuate janë çelësi i suksesit të një organizate.
Sfidat me të cilat do të mund të përballet ky institucion gjatë pesë viteve të para pas emërimit të komisionerit lidhen kryesisht me hartimin e legjislacionit sekondar që do të burojë nga dy ligjet përkatëse, pastaj aktet tjera nënligjore që do të lehtësojnë dhe saktësojnë punën në praktikë të të punësuarve të këtij autoriteti, e në veçanti të inspektorëve të saj, të cilët do të jenë shërbyes civilë.
Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë informative në përgjithësi, pastaj mediumet dixhitale, rrjetet sociale e deri te individi si kontrollues i të dhënave në saje të platformës së gjerë dixhitale, përbën sfidë më vete për AIP-në. Sfidat e kësaj natyre do të mund të tejkalohen më leht në saje të një bashkëpunimi e bashkëveprimi konkret me institucionet tjera publike që ndërlidhen me këtë fushë.
Ndërkaq, tejzgjatja e hyrjes në fuqi të projektligjit (të ri) për klasifikimin e informacionit shihet si sfidë shtesë, e cila e mbanë peng zbatimin e plotë të ligjit për qasje në dokumente publike dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Sidoqoftë, shfrytëzimi racional i mundësive kryesore të identifikuara dhe përballja me një qasje serioze me sfidat e pritura, do të mund ta rreshtojë Agjencinë në listën e institucioneve publike më kredibile në sytë e publikut.
Një mision i këtillë kërkon që fillimisht ky autoritet të menaxhohet nga një person që e njeh mirë këtë fushë, që është jopolitik dhe i paanshëm në vendimmarrje. Një person me integritet të lartë moral që ka ndërtuar tashmë raporte bashkëpunimi me autoritetet homologe ndërkombëtare. Dikush që ka pasur tashmë rastin e volitshëm për të përfituar nga ekspertiza ndërkombëtare gjatë punës në këtë autoritet dhe ka vizion të qartë se çfarë rrugëtimi duhet të përshkojë zhvillimi i këtij institucioni, duke njohur sfidat e të kaluarëssë tij dhe ato që e presinkëtë autoritet të pavarur.
(Autori është Drejtor në Agjencinë për Informim dhe Privatësi)