Një përplasje ndërmjet pozitës dhe opozitës ka ndodhur në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, që në rend dite kishte pasqyrat financiare të Telekomit të Kosovës, për vitin 2021, raporton Ekonomia Online.
Shkaku i kësaj përplasjeje ishte procesverbali i mbledhjes së kaluar, me ç’rast ata të opozitës nuk u pajtuan.
Me këtë rast, deputetët e PDK-së, Hajdar Beqa e Rashit Qalaj, e kanë lëshuar mbledhjen, shkaku i mospajtimeve me deputeten e Vetëvendosjes, Mirlinda Sadiku.
Beqa fillimisht e ka lutur deputeten e VV-së që mos të merret me ofendime, duke shtuar se duhet të kërkojë falje se i kanë mashtruar qytetarët me kauza të rrejshme.
“Unë kam thënë për mënyrën e qeverisjes në Kosovë. Këto ide teorike iu kisha lutë t’i hiqni; iu kisha lutë me qenë seriozë”.
“Kërkojuni falje qytetarëve që i keni mashtruar me kauza të rrejshme”, ka theksuar Beqa.
Kurse deputetja e VV-së, tha se vet PDK-ja ka përdorur në Kuvend gjuhë joparlamentare.
“Ne mund të kemi pikëpamje të ndryshme politike. Ju e përsëritët prapë një gabim. Në mes të parlamentit i keni thënë ‘ta heqi kryet’, u jeni referuar deputetëve të VV-së. Gjuha juaj ka qenë joparlamentare”, u shpreh deputetja Sadiku.