Përplasja e Muratit dhe Hotit për buxhetin e vitit 2023

Prishtinë | 18 Nën 2022 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës me 64 vota pro, ka miratuar dje në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023. Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euro.

Pos përplasjeve në Kuvendin e Kosovës, pozita dhe opozita janë “përplasur” edhe virtualisht në rrjetin social Facebook.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria majtiste e LVV-së ka ngritur shpenzimet për renovimin e terminaleve doganore që tashmë i ka shtetëzuar.

Hoti thotë se me këto para do të ishin ndërtuar 20 çerdhe për fëmijë.

“Këta majtistë që po qeverisin i shtetëzuan terminalet doganore. Por tani shpenzimet e terminaleve doganore nuk i paguajnë bizneset, por qytetarët përmes taksave.

Shihni buxhetin e Doganës së Kosovës për 2023 dhe dy vitet në vijim: 9.1 mil euro do të shpenzohen për renovim të terminaleve doganore. Këto janë taksa të qytetarëve.

Me një vlerësim prej 400-500 mijë euro për ndërtimin e një çerdheje, kjo shumë do të mund të shkonte në ndërtimin e 20 çerdheve për fëmijë”, ka shkruar Hoti.

Nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur kundër reagimi nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai ka thënë se Qeveria Kurti do të ndërtojë edhe terminale shtetërore edhe çerdhe, derisa sipas tij ata që kanë qeverisur më parë nuk e bënë asnjërën.

“Le ta pyet dikush deputetin Hoti se, sa çerdhe i patën ndërtu me paratë që i paskan kursy nga privatizimi terminaleve gjatë kohës sa ky me partinë e tij kanë qenë në qeverisje.

Qeveria jonë po i bën edhe terminalet shtetërore, edhe çerdhet!

Ata para nesh, as terminale, por as çerdhe.

Madje edhe ato pak çerdhe që ishin ndërtuar nga komunat, i kanë lënë pa staf.

U desh të vinte Qeveria jonë, që të alokohej edhe stafi prej 243 personave për të funksionalizuar çerdhet që kishin mbetur të pafunksionalizuara nëpër komuna”, ka shkruar Murati.

Të ngjashme