Ky vikend i thelloi edhe më shumë pakënaqësitë që kanë partnerët e koalicionit aktual mes vete. Shkak u bë Task Forca Anti-Korrupsion, e bosht i përplasjes ishin kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj me kryeminsitrin Avdullah Hoti. Por, kush i qetësoi gjakrat në mes të dyve në përplasjen që u bë përmes rrjeteve sociale? Gazeta Express sjell detajet.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ditë më parë ka njoftuar se ka abstenuar kur në Qeveri të Kosovës është votuar për shuarjen e Task-Forcës Kundër Korrupsion.
Këtë veprim, ai e arsyetonte duke thënë se mendon se në vend duhet një planifikim më i mirë në bazë të rishikimit funksional, teksa shton se nuk duhet të dëmtohen disa nga rastet e profilit të lartë që janë pjesë e Task-Forcës.
E pikërisht kjo temë u bë shkak që gati një javë më vonë, pakënaqësitë që AAK-ja nuk i ka shprehur me votë kundër por me abstenim, të shkaktojnë edhe një përplasje të re me partnerin e tyre të koalicionit LDK-në.
Ishte pikërisht, ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, që shkroi në Facebook se shkarkimi i task forcës kundër korrupsionit shkakton pasiguri juridike.
“ Kjo task forcë ka funksionuar më shumë se 10 vite. Kanë hetuar dhe kanë qenë në proces të hetimit të shumë rasteve të profilit të lartë në bazë të mandatit të tyre. Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si ShBA dhe BE”, tha Haradinaj, teksa shtoi se në përmirësimin e institucioneve tona duhet të ketë plan, e se një veprim i tillë nga qeveria është bërë pa plan.
“Çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura. Gjatë mandatit tim si Kryeministër jam ballafaquar me disa raste për të cilat ka pasur vendim për hetime ose aktakuzë. Vendimi im ka qenë që të ruaj sistemin dhe ta fuqizoj të njëjtin. Kam rritur rrogat e policisë, prokurorëve dhe gjykatësve dhe ju kam dhënë pavarësi të plotë. Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Unë kam paguar çmim që të ruaj sundimin e ligjit mbi përfitimet politike. Të njëjtën e pres nga çdo Qeveri e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Nuk shkoi shumë e këtij shkrimi të Haradinajt i reagoi i pari i ekzekutivit. Kjo bëri që mes tyre të fillojë një përplasje që vazhdoi gjatë së shtunës përmes Facebook-ut.
Kryeministri Avdullah Hoti kërkoi nga Haradinaj që të mos përazihet në drejtësi, teksa, tha se ajo duhet ta bëjë punën sipas ligjit e jo sipas vendimeve të Qeverisë.
“Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve. Kjo qeveri është e vendosur për të fuqizuar shtetin ligjor. Siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”, deklaroi Hoti.
Megjithatë, Haradinaj nuk e la me kaq. Ai madje akuzoi LDK-në se po e zbaton Kushtetutën për interesa partiake.
“Gjatë jetëgjatësisë së demokracisë së vendit tonë, sa herë që Kushtetuta e Republikës është zbatuar për interesat e një partie të caktuar, ka dalë të jetë e gabuar”, tha kreu i AAK-së.
Për deklarimet e Haradinajt, Hoti ka thënë se nëse ka dyshime mund të përdorë mjetet ligjore për të kërkuar sqarime për secilin.
“Puna e zyrtarëve që kanë qenë në kuadër të Task Forcës në Policinë e Kosovës vazhdon pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale. Të gjithë ata zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore sipas organizimit të brendshëm të Policisë së Kosovës pa asnjë ndërhyrje nga askush. Kushdo që ka dyshime për këtë, le të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar mbikëqyrje dhe sqarime për punën e secilit”, deklaroi kryeministri.
Kjo qe edhe hera e fundit që Kryeministri iu përgjigj Haradinajt për Task-Forcën, ani pse kreu i AAK-së iu përgjigj edhe njëherë përmes Facebook-ut.
“Bashkpartiakët tuaj edhe mund t’ju tolerojnë, por, ky është qëndrimi i shtetit aleat që është vendimmarrës për liberalizim të vizave: “Fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngrit shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive”, ka shkruar ai.
Javën që lamë pas Qeveria ka vendosur të mbyllë këtë departament, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media tha se në kohën kur është marrë vendimi për themelimin e këtij departamenti, ka qenë vendim anti-kushtetues.
“Në pikën e parë të këtij vendimi thuhet se ‘Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kërkon nga Prokuroria Speciale e Kosovës që në kuadër të saj të themelojë një Departament Special Anti-Korrupsion me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë’. Ndërkaq, në pikën e dytë ia përcakton edhe numrin e prokurorëve, Departamenti Special Anti-Korrupsion të përbëhet nga gjithsej tetë prokurorë, pesë prej të cilëve do të jenë vendorë, ndërsa tre do të emërohen nga autoritetet e EULEX-it’. A e dini çka i ka munguar këtij vendimi? Vetëm edhe emër i prokurorëve”, kishte thënë Hoti.
Sido që të jetë, misioni i EULEX-it thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shfuqizuar Departamentin kundër korrupsionit, ngreh shqetësime serioze në lidhje me zotimin e Kosovës për ta luftuar korrupsionin. Për këtë vendim të Qeverisë kanë reaguar edhe ambasadat.
Ndryshe, përplasja AAK-LDK vjen pas një takimi në Kuvend të Kosovës ku krerët e partive të koalicionit u takuan për të folur për zhvillimet politike, me theks të veçantë, çështjen e presidentit.