Një përplasje e ashpër verbale ka ndodhur ndërmjet këshilltarëve komunalë të Partisë Socialdemokrate dhe Vetëvendosjes në mbledhjen Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Përplasja nisi kur këshilltarja e PSD-së, Vala Peshku, ndërhyri nga vendi derisa këshilltari komunal nga VV-ja, Naim Hoxha, po kritikonte komunën për raportin financiar për tre mujorin e parë.
Pas kësaj ndërhyrjeje, Hoxha e quajti Peshkun “figurë atraktive” dhe kjo nxiti reagimin e këshilltares së PSD-së, e cila mori fjalën dhe e vlerësoi të papranueshme sjelljen e Hoxhës.
Reagimi i Peshkut solli më pas reagimin e Nazlie Balës, këshilltares tjetër të VV-së, e cila i doli në mbrojtje bashkëpartiakut të saj, duke thënë se ai nuk ofendoi në baza gjinore.
Në fund të përplasjes, këshilltari Hoxha kërkoi falje për këtë deklaratë, duke thënë se nuk e ka menduar si ofendim.
Gjithë këtë përplasje e ka quajtur të turpshme, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta.