Përplasje ndërmjet Kusari Lilës e Hykmete Bajramit

Prishtinë | 08 Shk 2022 | 12:54 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka kritikuar opozitën e cila ka kërkuar anulimin e vendimit të ZRRE-së lidhur me rritjen e çmimit të rrymës.

“Në raport me propozimin e PDK-së i mbështetur nga LDK-ja, do t’i them disa fakte”, u shpreh ajo.

“ZRRE-ja ka hapur periudhën e konsultimeve, asnjëra prej tyre nuk ka dërguar raportet e tyre në raport me kërkesën e ZRRE-së. Ajo çka po propozohet mund të hidhet në votim. ZRRE-ja është konsultuar kur e keni pasur në komisionin për ekonomi, të mos merren me komente politike por me dokumente zyrtare dhe ligjin mbi rregullatorin. ZRRE-ja ka marrë vendimin konform afateve kohore. Janë mekanizmat tjerë që mund të ndikojnë në zbutjen e rritjes së çmimit. Ajo çfarë po tentohet këtu, është shkelje e ligjit mbi rregullatorin”, tha Kusari Lila.

Kusari Lila tha se opozita, në afatet kohore, nuk ka pasur interesim të veprojë sipas rregullave për të ndikuar në këtë vendim.

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike, ka reaguar dhe ka demantuar Kusarin Lilën, duke i thënë se kjo parti i ka dërguar komentet e veta në ZRRE.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar që shefja e deputetëve të VV-së të kërkojë falje, për siç thotë ajo “shpifjen që e bëri” ndaj subjektit të saj politik.

Ajo tha se i vjen keq që Kusari-Lila e përfshiu Lidhjen Demokratike në grupin e partie që nuk i kanë dorëzuar komentet në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Ish-ministrja e Financave tha se mund ta dëshmojë se LDK-ja i ka dorëzuar komentet e saj në ZRRE, në zyrën e Kryeministrit dhe në zyrat e ministrave të Ekonomisë dhe Financave.

“Mua më vjen keq se zonja Kusari vetëm sa shpifi kur përfshiu LDK-në në grupin e partive që nuk kanë dorëzuar komentet në ZRRE. Mund ta dëshmoj se komentet e LDK kanë shkuar në zyrën e ZRRE-së, në ZKM, në ministrinë e Financave dhe në zyrën e ministrisë së Ekonomisë. Atëherë ju lutem kërkoni falje për shpifjen që ju bëtë. Propozimi ynë është që sot të ketë debat parlamentar ku fillimisht përfaqësuesit e Qeverisë do të na shpjegonin se kujt i është rritur energjia 12.5 cent dhe cila është kjo, a është tarifa e lartë apo e ulët. Sepse, pas dhënies së vendimit të Qeverisë për të subvencionuar energjinë prej 90 milionë euro, mbeten edhe 40 milionë tjera për të mbuluar”, tha ajo në Kuvendin e Kosovës.

Të ngjashme