Mbrojtësi i të akuzuarit, Besim Beqaj, avokati Besnik Berisha, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, ka deklaruar se prokurorja speciale, Drita Hajdari i kishte thënë atij që këtë rast mund ta kryejnë me një dënim me kusht.
Këtë deklaratë, avokati Berisha e ka dhënë në seancën e së hënës, në rastin “Pronto”, në të cilin po akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Këta kanë qenë të gatshëm me ba marrëveshje bile edhe ma nja 1 euro për me i thanë jemi fajtor veç ta kryejmë këtë far pune, mua ma ka ofru vet qetu qe qikjo prokurorja që është qetu përballë ka thënë te mbyllim, unë s’jam e interesune mu dënu, me një dënim me kusht e mbyllim, hyjmë edhe në poligraf e këqyrim cili po rren unë apo ti”, ka deklaruar avokati Besnik Berisha.
Mirëpo, këtë deklarim të tij e ka kundërshtuar prokurorja Drita Hajdari.
“Nuk është e vërtetë, ky po gënjen… ky nuk mundet me mshef emocionet negative që i ka ndaj meje, nëse kam përmendur marrëveshjen për pranim të fajësisë, unë nuk e kam shpik marrëveshjen është diçka me ligj, po e shtrembëron këtu para publikut”, ka deklaruar prokurorja Hajdari.
Pasi kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti i ka tërhequr vërejtjen avokatit Berisha, ai ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare.
Sipas tij, prokuroria kishte dështuar të vërtetojë se veprimet e të mbrojturi të tij ishin të kundërligjshme dhe për shkak të mungesës së ndonjë veprimi nga ana e tij, ai ka kërkuar që ndaj Beqajt të shpallet aktgjykim lirues.
Ai ka thënë se e vetmja gjë të cilën e kishte provuar prokuroria në këtë shqyrtim gjyqësor ishte se nuk ishin të gjithë të barabartë sipas ligjit.
“Kushdo që i ka dëgjuar të gjitha përgjimet vëren se Prokuroria nuk i trajtoi të gjithë njejtë sipas ligjit, nocioni Pronto është shqiptuar nga dikush tjetër, bile siç e keni parë edhe ju vet kur ka bërë pyetje prokurori, në pyetjen se a je takuar me atë (duke iu referuar kryeministrit), nuk e lexon, e këput atë pjesë, ndjekja në këtë rast ishte selektive dhe targetoheshin një numër për të arsyetuar presionin publik nga përgjimet që dolën nga media”, ka thënë avokati Berisha.
Ai tha se nuk e kontestonin ligjshmërinë e përgjimeve, por sipas tij prokuroria shkoqiti nga këto biseda që i quajti inkriminuese, ngase sipas tij ishte vërtetuar se të akuzuarin nuk e kishin bërë as tentativën me të vogël për të anuluar konkurset e drejtorëve të bordeve në ndërmarrjet publike “Tranikos” dhe “Infrakos”, dhe se dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja kishin dëshmuar se pozita e krye shefit ekzekutiv përzgjidhet nga dikush tjetër.
“Prokuroria ndryshoi dispozitivin edhe pse në provat e saja kishte dorëzuar adresën e saktë, bordet nuk i zgjedh një ministri, bordet në ndërmarrjen publike janë shpallur, janë anuluar, janë rishpallur dhe procedurë me vendim të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë avokati Berisha.
Ai tha se nuk e dinë se kush kishin qenë aplikantët, a kishin qenë të gjithë anëtar të PTK-së, pasi sipas tij, një pjesëtar i partisë politike nuk mund të jetë person zyrtar dhe se nëse këta persona e kishin pasur statusin e personit zyrtar.
Sipastij, prokuroria ishte dashur të potencojë se në cilin nen, në cilin përshkrim këta persona e kishin pasur të ndaluar për të diskutuar një çështje në lidhje me ndonjë përzgjedhje apo të ndonjë konkursi.
Sipas tij, vepra penale për të cilën akuzohen ishte cilësuar si e tillë për ta kamufluar parashkrimin absolut, sepse prokuroria kishte futur njerëz si persona zyrtar të cilët as nuk e kishin pasur pozitën e personit zyrtar.
Fjalën e tij përfundimtare e ka dhënë edhe i akuzuari Besim Beqaj, i cili ka thënë se prokurorja Hajdari gjatë seancave kishte deklaruar se të akuzuarit kishin biseduar për gjera të cilat nuk kishin qenë kompetent dhe kishte treguar se këto gjëra ishin biseda private, ndërsa në anën tjetër kishte thënë se këto veprime e kanë kënaqur ligjin.
“Jeni tu e keqpërdorur, kam thënë keni vepruar nga hija, nga prapaskena”, ka reaguar prokurorja Hajdari.
Ai ka thënë se fjalën e prokurores se me këto veprime e kishin “kënaqur ligjin”, mund të gjenden edhe në procesverbal, ndërsa ka shtuar se në Republikën e Kosovës duhet të ketë siguri juridike dhe se kjo siguri duhet të vihet mbi prova. Fakte dhe dokumente e jo mbi bazën e prapaskenave.
Fjalën përfundimtare janë duke e vazhduar edhe të akuzuarit e tjerë.
Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.
Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.
Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.
Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.
Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.
Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.
Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.